Serbia vazhdon të ndalojë qytetarët e Kosovës në pikat kufitare të Kosovës, që lidhen me Serbinë.
Kryetari i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, Ismet Azizi, ka konfirmuar për RTKlive se është ndaluar për rreth tri orë në pikën kufitare në Bërnjak.
“Në kthim nga Novi Pazari, pas një qëndrimi katërditor me karakter pune në projektin “Dasma peshterase”, projekt që realizohet me përkrahjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, në vendkalimin kufitar në Bërnjak, BIA e Serbisë më ndaloi për gati tre orë në bisedë informative”, tha ai.
Azizi bëri me dije se BIA u interesua për lëvizjet e tij, për qëllimet dhe objektivat e shoqatës “Kosova për Sanxhakun” , për librat e botuara, konferencat e simpoziumet shkencore dhe artikujt e botuar etj.
“BIA është interesuar edhe për bashkëpunim me Këshillin Kombëtar Boshnjak, partitë politike, në Sanxhak dhe Kosovë, projektet, libra, mbështetje materiale dhe me kënd takohem nga akterët politikë”, tha ai.