Kryeministri Albin Kurti ka pranuar të martën dorëheqjen e Armend Mehajt nga posti i ministrit të Mbrojtjes dhe në vend të tij ka emëruar ish-eprorin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Ejup Maqedoncin. Kurti në njoftimin për media, thotë se Mehaj ka kërkuar dorëheqje për çështje familjare.
“Kërkesa për lirim nga detyra vjen për shkaqe familjare. Ministrin Mehaj e falënderova për punën e pandërprerë, kontributin mbresëlënës, bashkëpunimin e rregullt dhe angazhimin e tij shembullor nga dita e parë e marrjes së detyrës”, shkruan në facebook, kryeministri Kurti.
Ministër të ri të mbrojtjes ai thotë se e ka emëruar Ejup Maqedoncin, me të cilin thotë se ka bashkëpunuar deri më tani në funksione tjera.
“Ministrit Maqedonci i uroj punë të mbarë në avancimin e mbrojtjes dhe sigurisë, në zhvillimin dhe ndërtimin e ushtrisë sonë. Me këtë rast zhvilluam një takim të përbashkët edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Ndërsa në një letër të gjatë shkruar në facebook, ministri tashmë i dorëhequr Armend Mehaj thotë sem largimi i tij vjen për shkaqe familjare.
“Sot, më 08 gusht 2023, në mirëkuptim dhe mirëbesim të plotë, me kërkesën time, Kryeministri Albin Kurti më ka liruar nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës! Kjo kërkesë prej anës sime, ka ardhur për arsye familjare, për të cilat e kam njoftuar Kryeministrin Kurti, me kohë që më parë. Ai më falënderoi për punën time si dhe për të gjitha angazhimet e përbashkëta deri më sot, gjatë këtyre 29 muajve sa isha në detyrën e Ministrit të Mbrojtjes të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mehaj.
Ish-ministri përmend edhe sukseset, sfidat dhe zhvillimin e deritanishëm të Ushtrisë së Kosovës. Po ashtu Mehaj në letrën e tij flet edhe për bashkëpunimin me ministritë e shteteve të tjera, trajnimet e FSK-së, armatimin dhe stafin.