Policia Rajonale e Komunikacionit në Ferizaj i ka shqiptuar një gjobë prej 500 eurosh një shoferi, i cili në zonën e kufizuar deri 50 km/h, kishte vozituar 109 km/h. Të njëjtit i është marrë patentë-shoferi për një vit dhe i janë hequr 5 pikë.
“Me datën 07.08.2023 rreth orës 10:45, në rrugën lokale “Driton Islami” në Ferizaj ka ndaluar shoferin A.K (M/K) i moshës 20 vjeçar, i cili me veturë ka bërë tejkalimin e shpejtësisë, ku në zonën e kufizimit 50 km/h ka zhvilluar shpejtësi 109 km/h. Ndaj tij policia i shqiptoi një gjobë kundërvajtëse, sipas ligjit të komunikacionit rrugor me dënim 500 euro , 5 pikë negative dhe një (1) vit masë mbrojtëse, heqje e patent shoferit|, njofton policia.
Me këtë rast, Policia Rajonale në Ferizaj apelon tek shoferët e automjeteve që të respektojnë shpejtësinë dhe shenjat e komunikacionit.
“Veprimet e tilla rrezikojnë direkt jetën e tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë me policinë. Për të gjitha kundërvajtjet që mund të shkaktohen në komunikacion, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt, apo përmes aplikacionit digjital ‘’Lajmëro Policinë’”, thuhet në njoftimin e policisë.