Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mbajti një sërë takimesh të mbyllura në samitin e G20 në Nju Delhi, në të cilat u bëri thirrje udhëheqësve të shteteve të G20 që të përmbushin disa nga kërkesat e Rusisë për të rifilluar marrëveshjen e grurit. Këtë e raporton Bloomberg duke iu referuar tre zyrtarëve turq.
Në veçanti, Presidenti i Turqisë u kërkon krerëve të shteteve të G20-ës të lehtësojnë sigurimin për eksportin e produkteve dhe plehrave ruse në Lloyd’s të Londrës. Ankaraja kërkon gjithashtu të rilidhë Moskën me sistemin SWIFT për pagesat ndërkombëtare.
Një tjetër opsion për të ringjallur marrëveshjen mund të jetë lehtësimi i disa sanksioneve. Këto kufizime, pretendon Moska, e pengojnë atë të importojë pajisje bujqësore si traktorë ose pjesë këmbimi.
Turqia po kërkon të rivendosë furnizimet sipas një marrëveshjeje të mbështetur nga OKB nga e cila Moska u tërhoq në korrik, por Erdogan nuk arriti të bindte presidentin rus Vladimir Putin që t’i bashkohej marrëveshjes gjatë bisedimeve në Soçi të hënën.
Anëtarët e G20 do t’i bëjnë thirrje Rusisë që të sigurojë “furnizime të menjëhershme dhe të papenguara me drithë” nga Ukraina, thanë burime të njohura me bisedimet për Bloomberg. “Rusia po ofron 1 milion ton grurë për vendet afrikane në një përpjekje për të treguar bujarinë e saj. Çfarë cinizmi dhe përbuzjeje për vendet afrikane”, tha Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një fjalim në seancën hapëse të samitit, duke vënë në dukje se versioni origjinal i marrëveshjes së grurit u siguronte konsumatorëve nga vendet e rrezikuara 30 milionë tonë. të eksporteve.
Ukraina po zhvillon bisedime me Rumaninë dhe Bullgarinë për një rrugë alternative detare që do të kalonte nga Ukraina përmes ujërave territoriale rumune, thonë diplomatët evropianë. Megjithatë, kjo rrugë me shumë mundësi do të jetë në gjendje të plotësojë vetëm një pjesë të nevojave, besojnë bashkëbiseduesit e Bloomberg.