Presidentja Osmani ka thënë se serbëve lokalë po u bëhet presion që të mos marrin pjesë në këto zgjedhje, duke shtuar se ende nuk po shihet ndonjë lëvizje ku presidenti Vuçiq do të ndalojë të ndërhyjë në zgjedhjet e një shteti tjetër.

“Atyre u bëhet presion të mos marrin pjesë në zgjedhje. Ne ende nuk po shohim lëvizje ku Vuçiqi do të ndalojë së ndërhyri në zgjedhjet e një shteti tjetër”, ka deklaruar Osmani.

Në intervistë për ‘Politico’, presidentja e Republikës rikujtoi se serbët nuk i bojkotuan zgjedhjet në mënyrë vullnetare, prandaj adresa për presion tha se është Serbia e jo Kosova.

Ajo ka thënë se duhet përkujdesur që çdo gjë të bëhet në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë e me aleatët, që të evitohen tensionet.

“Historia e Kosovës është histori e aksioneve të përbashkëta. Kemi qenë gjithmonë të suksesshëm kur kemi punuar së bashku me partnerë, e aleatë”, ka theksuar presidentja

Presidnetja e vendit në këtë intervistë të cilin e ka publikuar në Facbook, ka thënë se për Kosovën anëtarësimi në BE është prioritet institucional e vullnet i popullit.

“Mbi 93 për qind të popullatës sonë janë pro rrugës së integrimit në BE. Por, nuk është vetëm kjo, ne besojmë se është rruga e vetme që sjellë prosperitet, zhvillim ekonomik, dhe paqe të qëndrueshme e stabilitet”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE do të krijonte më tepër stabilitet dhe paqe.