Franca ka ngritur në nivelin më të lartë alarmin e sigurisë , pas vdekjes së një mësuesi që u godit me thikë në një shkollë të mesme, tha sot për “TF1” ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin .
Ai tha se “pa dyshim” ekziston një lidhje midis sulmit me thikë në Arras dhe situatës në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe Hamasit , raportoi BFM TV.
– Sipas informacioneve tona, për fat të keq, ka një lidhje midis asaj që ndodhi në Lindjen e Mesme – shpjegoi ai.
Duke folur në TF1, ministri i Brendshëm francez tha se autoritetet duhet të jenë edhe më të ashpra ndaj njerëzve të radikalizuar në Francë.
Mediat më herët raportuan se sulmuesi, i cili vrau një person dhe plagosi disa të tjerë në një shkollë të mesme në qytetin e Arrasit, para incidentit bërtiste “Allahu Akbar” , por policia ende nuk e ka konfirmuar këtë.
Siç thuhet nga policia, sulmuesi është me origjinë çeçene dhe ishte në të dhënat e policisë.