By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
Kosova TimesKosova Times
Notification Show More
Latest News
Fillimi i mbrapsht nuk sjellë përfundim të mirë!
May 15, 2025
Presidentja Vjosa Osmani po e mban gjallë imazhin e politikës shqiptare!
May 15, 2025
“Shpëtim” për gazin rus apo një investim i mirë. A do ta shesë Bullgaria pjesën e saj të “Rrjedhës Turke”?
May 15, 2025
The New York Times për falsifikimin e një dokumenti për Shtabin e Përgjithshëm: Reagoi edhe kompania e Kushnerit
May 15, 2025
Interfax: Rosatom është gati t’i ofrojë Serbisë centrale bërthamore me fuqi të ulët dhe të lartë
May 15, 2025
Aa
  • Ballina
  • Politikë
    • Lajme
    • Tema
    • Gjeopolitikë
    • Opinion
  • Rajon / Botë
  • Ekonomi
    • Lajme
    • Tema
    • Financa
    • Turizëm
    • Bujqësi
  • Kulturë
    • Lajme
    • ShowBiz
    • Moda
  • Shëndetësi
  • Sport
  • Hi-tech
    • Teknologji
    • Shkencë
Reading: Morina: Së pari siguria në Kosovë, pastaj dialogu me Serbinë
Share
Aa
Kosova TimesKosova Times
Search
  • Home
    • Home News
    • Home 2
    • Home 3
    • Home 4
    • Home 5
  • Categories
  • Bookmarks
    • Customize Interests
    • My Bookmarks
  • More Foxiz
    • Blog Index
    • Sitemap
Have an existing account? Sign In
Follow US
Kosova Times > Blog > Politikë > Lajme > Morina: Së pari siguria në Kosovë, pastaj dialogu me Serbinë
Ballina 1Lajme

Morina: Së pari siguria në Kosovë, pastaj dialogu me Serbinë

Kosova Times
Last updated: 2023/10/20 at 5:00 PM
Kosova Times Published October 20, 2023
Share
SHARE

“Procesi i dialogut [me Serbinë] do t’i sjellë Kosovës shumë të mira nëse do të ketë sukses, por mendoj se fokusi, për momentin, duhet të jetë në situatën e sigurisë në Kosovë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Engjëllushe Morina, nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Diplomatë perëndimorë pritet të qëndrojnë në Prishtinë dhe Beograd në fundjavë, në përpjekje, siç është thënë, për ta shpëtuar dialogun mes dy vendeve.

Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë janë takuar për herë të fundit më 14 shtator, dhjetë ditë përpara një sulmi kundër policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një rreshter.

Morina thotë ky sulm ka qenë “një alarm për të gjithë se sa e brishtë është situata e sigurisë jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në rajon”.

Sipas saj, kjo ngjarje do vëmendje më të fokusuar në mënyrë që të mos përsëritet.

Nga vizitat e diplomatëve perëndimorë, ajo pret shtytje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Morina, përfaqësues të shteteve të Quint-it, bashkë me përfaqësues të Bashkimit Evropian, do të qëndrojnë në fundjavë në Kosovë dhe Serbi, për të bërë përpjekje, siç kanë thënë ata, për ta shpëtuar dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit. A mendoni se ky dialog është në rrezik?

Engjëllushe Morina: Mendoj se edhe para ngjarjeve të datës 24 shtator, dialogu nuk është se ka shkuar në një rrugë të mbarë, ose në një rrugë që çon kah suksesi. Më 14 shtator, në Bruksel, ka qenë takimi i fundit i nivelit të lartë dhe e kemi parë nga mediat se ky takim nuk ka shkuar fare mirë. Ka qenë një dështim komplet, sepse palët nuk janë pajtuar, kanë mbetur në anë të kundërta.

Pala e Kosovës, po ashtu, ka pasur shumë ankesa në drejtim të ndërmjetësit [evropian] Mirosllav Lajçak, [të cilin e ka akuzuar për anshmëri]. Pra, edhe sikur të mos ndodhte 24 shtatori, në Bruksel dolën në pah probleme të shumta pas 14 shtatorit.

Natyrisht, procesi i dialogut do t’i sjellë Kosovës shumë të mira nëse do të ketë sukses, por mendoj se fokusi, për momentin, duhet të jetë në situatën e sigurisë në Kosovë, sidomos në pjesën veriore. Pastaj, pasi të vihen disa parametra në vend, të diskutohet edhe për uljen në tavolinë. Pa e sqaruar situatën e sigurisë në veri të Kosovës, është vështirë të paramendohet suksesi në dialog.

Radio Evropa e Lirë: Do t’i kthehemi pas pak 24 shtatorit… Por, çfarë prisni nga vizita e “pesëshes” në Kosovë dhe Serbi? Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se dy vendeve do t’u prezantohen “propozime interesante”.

Engjëllushe Morina: Nëse nisemi prej deklaratës së ambasadorit amerikan në Beograd, “propozimi interesant” mund të kuptohet në disa mënyra. Interesant për Serbinë, interesant për Kosovën, interesant për Bashkimin Evropian? Nuk është e qartë se çfarë propozimesh do të sjellin. Por, nga sa kam mundur të kuptoj, do të ketë pak a shumë një shtytje për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Radio Evropa e Lirë: Autoritetet në Kosovë, megjithatë, këmbëngulin se nuk do t’u kthehen bisedimeve me Serbinë, derisa, siç thonë, Serbia nuk ndëshkohet për sulmin në Banjskë. Ju, si mendoni, nën çfarë kushtesh do t’i kthehej Kosova dialogut?

Engjëllushe Morina: Unë mendoj se është me rëndësi për të gjithë – për Kosovën, për Serbinë, për qytetarët e veriut, qofshin serbë, shqiptarë, boshnjakë apo të tjerë – që të zbulohen të gjitha faktet, të gjitha të dhënat se çfarë ka ndodhur më 24 shtator. Unë mendoj se të gjithë të përfshirët, edhe Bashkimi Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara, kanë interes që situatat e tilla të mos përsëriten. Sidomos banorët e veriut e kanë një interes shumë të madh që ky lloj i situatës të mos përsëritet.

Për të pasur një konfidencë që kjo situatë nuk përsëritet, duhet të shikohet dhe kuptohet me kujdes se çfarë ka ndodhur. Pastaj, duhet të merren masa. Ka kaluar gati një muaj dhe ende zhargitet kuptimi i përbashkët i kësaj. Dëgjojmë shpesh prej shteteve të Bashkimit Evropian se duhet ta kuptojmë në tërësi se çfarë ka ndodhur. Unë mendoj se duhet ta kuptojmë së shpejti se çfarë ka ndodhur, e jo ndoshta pas një viti, sepse shumë zhvillime varen prej të kuptuarit se çfarë ka ndodhur më 24 shtator.

Radio Evropa e Lirë: Kosova i ka shtuar thirrjet për përfshirje më të madhe të ShBA-së në dialog, duke i fajësuar ndërmjetësit evropianë për anshmëri. A mendoni se ka gjasa që ShBA-ja të angazhohet më shumë në këtë proces?

Engjëllushe Morina: Nuk është ide e pamatur nëse Shtetet e Bashkuara përfshihen më shumë. Unë nuk shoh mungesë të përfshirjes së tyre. Përfaqësuesit e ShBA-së janë zakonisht prezentë në të gjitha takimet që mbahen mes Kosovës dhe Serbisë, në takimet bilaterale që i organizon i dërguari i posaçëm [i BE-së për dialogun], Lajçak. Domethënë, nuk është se ka mungesë të prezencës së tyre.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara nuk është se kanë interes të zbehur kur është fjala për stabilitetin politik në Ballkanin Perëndimor. Por, ndoshta duhet të kërkohet që qasja e tyre të ndryshojë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mendoni me ndryshimin e qasjes?

Engjëllushe Morina: Pikësëpari, mendoj se gjithë procesi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të kalojë në një nivel tjetër të rëndësisë. Në rregull që kemi përfaqësues specialë. Por, sidomos në ShBA, mendoj se rëndësia e procesit [të dialogut] do të rritej, nëse do të përfshiheshin personalitete të tjera, ose pozita të tjera, si ajo e ndihmësit të sekretarit të Shtetit për Evropën. James O’Brien. Ai është një personalitet që e njeh shumë mirë Ballkanin.

Radio Evropa e Lirë: Para sulmit në Banjskë, Bashkimi Evropian dhe ShBA-ja kanë inkurajuar Kosovën që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. A mendoni se duhet vazhduar në këtë drejtim?

Engjëllushe Morina: Kosova, në fakt, e ka pranuar pikën 7 të Propozimit Evropian [Marrëveshjes së Ohrit] që ka të bëjë më vetëmenaxhimin e komunitetit serb në Kosovë. Pra, pikëpyetje se a e pranon Kosova apo jo, nuk ka. Pala kosovare është ofruar disa herë edhe ta nënshkruajë Planin Evropian.

Por, në lidhje me Asociacionin, mendoj se ka nevojë për ndryshime, sidomos kur merret parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i vitit 2015. Domethënë, duhet të merret shumë seriozisht, sepse nëse e kemi edhe një plan që do të kontestohet prej Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, atëherë ai nuk do të ketë sukses në themelimin e ndonjë mekanizmi për vetëmenaxhimin e komunitetit serb.

Ky presioni që bëhet vetëm për themelimin e Asociacionit dhe të gjitha gjërat tjera lihen anash – marrë parasysh edhe kontekstin e ri të sigurisë dhe kontekstin politik në të cilin gjendet Kosova – mendoj se nuk jep shenja që do të ketë sukses.

Radio Evropa e Lirë: Në dritën e situatës së re të sigurisë që po e përmendni, a mendoni se Asociacioni është prioritet?

Engjëllushe Morina: E thashë edhe më herët që është vështirë të besohet në një sukses të procesit në rrethanat e tanishme, pa u adresuar elementet e sigurisë. Situata e sigurisë në veri nuk ka rëndësi vetëm për institucionet e Kosovës, por edhe për qytetarët e asaj pjese. Atje pritet të ketë zgjedhje lokale së shpejti. Ato nuk do të mund të organizohen pa u adresuar çështjet e sigurisë atje.

Pra, duhet të plotësohen parakushtet përpara se të diskutohet për çfarëdo mekanizmi politik, administrativ për komunitetin serb, ose përpara se të diskutohet për çfarëdo temash politike si pjesë e dialogut.

Radio Evropa e Lirë: Si e vlerësoni ju atë që ka ndodhur më 24 shtator në Banjskë?

Engjëllushe Morina: Unë mendoj se për shumicën e atyre që i përcjellin zhvillimet mes Kosovës dhe Serbisë dhe që e njohin atë pjesë të Kosovës, nuk ka qenë edhe shumë befasi. Befasia e gjithë asaj situate ka qenë fakti që nuk ka zgjatur shumë, sepse ka pasur potencial të ketë pasoja jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Duke e pasur parasysh kontekstin e sigurisë në të cilin gjendet Evropa, ky ka qenë ndoshta rreziku më i madh që e ka pasur jo vetëm Kosova më 24 shtator, por edhe rajoni.

Në Serbi ekziston një influencë e konsiderueshme e Rusisë dhe tendencë që të mos ketë paqe dhe stabilitet, andaj besoj se befasia më e madhe ka qenë që nuk ka zgjatur shumë. Për këtë, mendoj se rol kanë luajtur edhe institucionet e sigurisë në Kosovë, por edhe reagimet e shpejta, sidomos në lidhje me ushtrinë [serbe], e cila ishte stacionuar përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky ka qenë një alarm për të gjithë se sa e brishtë është situata e sigurisë jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në rajon dhe në kontekstin në të cilin gjendet Evropa. E them prapë që nëse nuk adresohen këto elementet e sigurisë, kam përshtypjen që jo vetëm se nuk do të ketë sukses në dialog, por situata të tilla do të përsëriten me pasoja jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë.

Radio Evropa e Lirë: Tash për tash nuk ka shenja se Serbia është duke bashkëpunuar me Kosovën në hetimin e sulmit në Banjskë, edhe pse Bashkimi Evropian ia ka kërkuar një gjë të tillë. A mund ta bindë dhe si BE-ja Serbinë?

Engjëllushe Morina: Bashkimi Evropian i ka disa mënyra ose instrumente – jo vetëm BE-ja, por edhe ShBA-ja – të cilat mund të përdoren për një ndikim më të madh në Serbi. Por, deri më tash, nuk kemi parë se janë përdorur këto leva të influencës në raport me Serbinë.

Ka disa teori të ndryshme se, gjoja, Serbia është duke bashkëpunuar në disa aspekte të tjera sa i përket sigurisë, përkatësisht luftës në Ukrainë, andaj është me rëndësi që të trajtohet pak më ndryshe, në mënyrë që ajo të mos bjerë komplet në duart e Rusisë. Mirëpo, kjo qasje nuk është se ka pasur sukses.

Mendoj se është momenti që të përdoren instrumente të ndryshme. Për shembull, Serbia merr shumë ndihmë financiare prej Bashkimit Evropian, por edhe prej ShBA-së. Ato janë një instrument që mund të përdoren për ta bindur Serbinë që të bashkëpunojë në aspektin e sigurisë dhe në aspektin politik, për të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët ndikimin rus në Serbi. A mendoni se sulmi në Banjskë mund të lidhet edhe me aktorë të tillë si Rusia? Autoritetet kosovare kanë thënë se janë duke hetuar edhe përfshirjen e mundshme ruse.

Engjëllushe Morina: Nuk është diçka që mund të përjashtohet me lehtësi, por edhe nuk është diçka për të cilën mund të flitet me kompetencë, sepse ende nuk ka dalë komplet në dritë se çfarë ka ndodhur më 24 shtator. Por, një gjë është e qartë: këto lloje situatash, që do të kishin ndoshta pasoja edhe në pjesë të tjera të rajonit, janë diçka që regjimi në Kremlin do të donte t’i shihte më shpesh.

Radio Evropa e Lirë: Edhe një pyetje të fundit, a jeni e shqetësuar se paqëndrueshmëria në veri të Kosovës mund të përshkallëzohet sërish, apo edhe të shndërrohet në një konflikt të armatosur?

Engjëllushe Morina: Absolutisht. Kjo ishte ndoshta edhe pika kryesore, të cilën desha ta forcoj gjatë bisedës sonë. Pra, duhet t’i jepet vëmendje më e fokusuar asaj që ka ndodhur më 24 shtator në atë pjesë të Kosovës dhe të merren masa të ndryshme, në bashkëpunim me trupat e NATO-së në Kosovë, që të mos përsëritet situatë e njëjtë. Pasojat do të ishin shumë të rrezikshme jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin.

Jemi në një situatë ku Kosova dhe rajoni nuk mund të shikohen si të izoluar nga ajo që po ndodh në Evropë, me luftën në Ukrainë, por edhe në anë të tjera të botës. Domethënë, kur shikohet prej një prizmi më të gjerë, duhet të merret shumë seriozisht, jo vetëm zbulimi i fakteve [rreth Banjskës], por edhe masat që kjo të mos ndodhë sërish dhe të mos shndërrohet në një konflikt – siç e thatë edhe ju – të hapur të armatosur, ose në një konflikt më të gjerë të armatosur.

You Might Also Like

“Evropa e re në një botë të re…”, Shqipëria mikpret Komunitetin Politik Evropian

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Familjes

58 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

Sot përpjekja e 16-të për konstituimin e Legjislaturës së 9-të të Kuvendit

Mot me diell, por pjesërisht i vranët

Kosova Times October 20, 2023
Share this Article
Facebook Twitter Email Print
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Follow US

Find US on Social Medias
Facebook Like
Twitter Follow
Youtube Subscribe
Telegram Follow

Weekly Newsletter

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

[mc4wp_form]
Popular News
Rajon / Botë

Shtetet e Bashkuara njoftuan shterjen e buxhetit për ndihmën ushtarake për Ukrainën

Kosova Times Kosova Times January 4, 2024
Karbonara, lazanja dhe makarona me salcë, më të pëlqyerit nga të huajt
Rrahmani pas çmimit “Fadil Vokrri”: Së bashku mund të bëjmë diçka të madhe 
Haaland nuk e përjashton mundësinë që të vesh fanellën e Real Madridit
34 vjet nga pajtimi i gjaqeve te Verrat e Llukës
- Advertisement -
Ad imageAd image
Global Coronavirus Cases

Confirmed

0

Death

0

More Information:Covid-19 Statistics

Kategoritë

  • Politikë
  • Rajon / Botë
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Shëndetësi
  • Sport
  • Hi - tech

About US

Kosova Times We influence 20 million users and is the number one business and technology news network on the planet.

Subscribe US

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

[mc4wp_form]

© Kosova Times. All Rights Reserved.

Removed from reading list

Undo
Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?