Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për herë të tretë në pak më shumë se dy vjet, ka mirëpritur në Prishtinë, presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. me të cilën biseduan për zhvillimet e fundit politike dhe rreth propozimit të BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike.
Duke i uruar mirëseardhje në ndërtesën e qeverisë dhe kryeqytetin e Republikës, kryeministri Kurti falënderoi presidenten von der Leyen për përkushtimin e saj ndaj agjendës evropiane të Kosovës, teksa e njoftoi atë me rezultatet e deritanishme të qeverisjes, zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe ShBA-së për Marrëveshjen Bazike.
Sipas një njoftimi për media, Kurti e njoftoi presidenten e KE-së për projektet e ndryshme infrastrukturore, përfshirë ato të cilat tashmë kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, por edhe projekte tjera të cilat mund të përfitojnë nga mbështetja, sikurse është ai i hekurudhës Prishtinë-Durrës.
Në lidhje me sulmin terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Radoiçiç në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten.
Në takim u fol edhe për Planin për Zhvillim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, përfitimet e mundshme nga ai, si dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe përparësitë e tij për rajonin, përkatësisht Ballkanin Perëndimor.
Ky ishte takimi i gjashtë ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në takim kanë marrin pjesë edhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog të Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi dhe këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj.