Gra që punojnë në sektorë të dominuar nga burrat, që tejkalojnë vështirësi të shumta për të realizuar ëndrrat e tyre, që shpëtojnë jetë e ndihmojnë grupet e margjinalizuara.
Në këtë tekst kemi përmbledhur disa prej këtyre historive frymëzuese të grave të ndryshme në Kosovë, video të cilat janë publikuar në baza javore gjatë vitit 2023 në Radion Evropa e Lirë në kuadër të rubrikës Femina, dedikuar grave.
Nga makthi në ëndrra: Rrëfimi i 19-vjeçares që u rrit nga SOS-nënat
Ana Ilazi, 19 vjeçe, edhe një vit do të ndahet nga SOS-nënat që e kanë rritur. Ajo aktualisht po realizon një prej ëndrrave të saj, shkollimin në fushën e fizioterapisë.
Në moshën 6-vjeçare ajo është braktisur nga prindërit e saj, dhe Ana u rrit në SOS-fshatrat e fëmijëve në Prishtinë.
Në një rrëfim për Radion Evropa e Lirë ajo tregoi se fuqinë për t’u bërë ajo që është sot, e ka gjetur pikërisht te SOS-nënat.
“Edhe pa prind mund të arrish, sepse ka njerëz të tjerë që janë humanë…kanë atë ndjesinë që të të japin kujdes pa asnjë interes”, tha ajo.
Ana ëndërron që një pjesë të studimeve ta kryejë jashtë Kosovës. Në planet e saj tha se nuk do të mungojë kurrë angazhimi për fëmijët pa përkujdesje prindërore.
Aktualisht, në SOS-Fshatrat në Prishtinë janë gati 50 bashkudhëtarë të Anës, të moshave të ndryshme.
Dashuria për shkrimin që ndriçoi errësirën e Fjollës
Më 2005, Fjolla Muhaxhiri-Agusholli humbi shikimin. Por, kjo nuk e ka ndalur atë që të shkruajë romanin e saj të parë të titulluar “Trëndafili që nuk e vyshkën stuhitë”.
Në një rrëfim për rubrikën Femina të Radios Evropa e Lirë, Fjolla tha se dëshiron që të motivojë personat e verbër që të punojnë dhe të jetojnë të barabartë me të tjerët.
“Në këtë libër nuk ka asgjë më tepër përveçse forcë, ka rrëfim që ta mësojë lexuesin se si mund të tejkalohen gjërat përkundër sfidave që të godasin, të rrëmbejnë, si mund t’i hapim dyert drejt lumturisë posaçërisht duke u ballafaquar e duke jetuar me dhimbjen”, tha Fjolla duke iu referuar romanit të saj autobiografik.
Ajo ka shkruar romanin “Trëndafili që nuk e vyshkën stuhitë” përmes një aplikacioni në telefonin e saj dedikuar personave të verbër. Në planet e saj janë edhe shumë libra të tjerë që ajo ka filluar t’i shkruajë.
Beteja për të shpëtuar jetë: Historia e doktoreshës Dafinë
Specialistja e mjekësisë emergjente, Dafina Rushiti – Basholli, çdo ditë përballet me raste të ndryshme që vijnë në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Si momente më të rënda të punës së saj i përshkruan traumat te fëmijët dhe kumtimin e lajmit se familjarët e tyre nuk ia dolën.
“Kur je nënë, kur je prind, e përjeton pak më ndryshe. Mirëpo, gjithmonë duhet ballafaquar në rend të parë me vetveten, që të mos u jepesh ndjenjave, dhe ta kesh fokus pacientin, ta shpëtosh pacientin. Ajo është pjesa më e rëndë që të luhat ndonjëherë më pak, mirëpo mjeku i fortë duhet të jetë mjek”, tha doktoresha, e cila punon qe 20 vjet në QKUK.
Dafina Rushiti – Basholli e konsideron emergjencën mbretëreshë të mjekësisë, pasi aty përmblidhen të gjitha rastet. Ajo tha për REL se rastet e ndryshme dhe të rënda i japin energji dhe përkushtim të madh për punë për të shpëtuar jetë.
Qepja e shpresës: Pasioni që e ngriti në këmbë Sevdijen
Sevdije Hoxha arriti t’i kthehej sërish pasionit të saj për punën artizanale, pavarësisht se më 2018 ajo mori një lajm të rëndë.
Mjekët i thanë atëbotë 50-vjeçares se nuk do të mund të merrej me punë artizanale për shkak të një paralize të pjesshme të dorës dhe këmbës për shkak të artritit.
Por, pasioni për punimet artizanale, sipas saj, ishte më i fortë se sëmundja, gjë që bëri që ajo t’i kthehej këtij zanati pesë vjet më vonë.
“Domethënë, për pesë vjet, as tri orë gjumë nuk i kam bërë prej dhimbjeve… edhe prej stresit. Edhe, në momentin kur jam çuar, pa e marrë [veten]… artin e kam pasur në shpirt të trashëguar. Kam në plan që ta vazhdoj. Ka qenë kjo, ndoshta, ajo që më ka ngritur”, tha ajo.
Ajo qep veshje tradicionale dhe tha se gratë e tjera dhe shoqatat, me të cilat ka krijuar kontakt ndër vite, nuk e lanë vetëm në kohën kur ishte e sëmurë.
Ngjyrat e ndryshimit: Misioni i Lebibes për transformimin e qytetit
Për Lebibe Topallin, jeta pa ngjyra nuk ka kuptim.
Pasi u kthye në Kosovë pas luftës, ajo nisi misionin e saj: ndryshimin e pamjes së qytetit të Ferizajt.
Me punën e saj ajo i ka dhënë ngjyra qytetit, duke pikturuar mbi 100 murale, së bashku me artistët që ajo përkrah.
“Duke konsideruar gjithashtu që qytetit tonë i mungon një lum, i mungon gjelbërim, edhe ne jemi munduar sado kudo t’ia japim një ngjyrë të gjelbër edhe qytetit tonë. Dhe, dalëngadalë, hap pas hapi, do ta shndërrojmë qytetin në një galeri të hapur urbane”, tha Lebibja.
Përmes muraleve, profesoresha e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, jep mesazhe të ndryshme, disa prej të cilave simbolizojnë luftën në Kosovë, periudhë që la gjurmë të thella në jetën e Lebibes.
Gruaja në sektorin e dominuar nga burrat
Sektori i inxhinierisë nuk ishte fusha që Eta Morina e kishte menduar se do të punonte ndonjëherë, e më së paku të udhëhiqte një kompani në këtë lëmi.
Por, në vitin 2011 ajo mori drejtimin e kompanisë së vëllait të saj, i cili humbi jetën tragjikisht.
“‘Hidroing’ sado e vogël si kompani, e ka treguar që, përkundër faktit që lideri i saj shkoi, puna ekipore ka krijuar staf me përgjegjësi, kolegë me përgjegjësi të madhe edhe profesionale edhe morale. Sado që vullneti im ka qenë i jashtëzakonshëm, viti i parë ka qenë shumë sfidues. E para e punës të ulesha në karrigen e njëjtë të vëllait, tash shpirtërisht është një ngarkesë e madhe emocionale, është e tepër [ngarkesë] e madhe”, tha Eta.
Eta paraprakisht kishte punuar si gazetare dhe redaktore në mediume të ndryshme në Kosovë.
Megjithatë, mungesa e njohurive në fushën e inxhinierisë nuk e frikësoi atë që të udhëheqë një kompani në sektorin që dominohet nga burrat.
Eta tha se rrugëtimi nuk ishte i lehtë pasi që është përballur edhe me paragjykime.
“Para 12 vjetëve në atë kohë kur erdha unë, me gjasë drejtoresha është konceptuar një person, një grua më në moshë, ndoshta… rreth të 50-tave mbase… nuk e di çfarë konstrukti por fort nuk më llogarisnin për drejtoreshë”, tregoi Eta në një rrëfim për Radion Evropa e Lirë.
“Dua një çati timen” – Jeta në të njëjtin oborr me dhunuesin
“Ëndrra ime është vetëm të kem një çati timen, që të kem ku ta fus kokën e të largohem prej dhunuesve. Ta qetësoj kokën time dhe të jem afër fëmijëve të mi”.
Kështu nis rrëfimin për Radion Evropa e Lirë, Elvedina Hajdari, viktimë e dhunës në familje.
Ajo u martua më 2007 dhe për vite të tëra duroi rrahje e keqtrajtime nga bashkëshorti, vetëm për hatrin e fëmijëve. Por, dikur u mbush kupa dhe ajo e raportoi rastin në polici.
“Kur e kam marrë guximin? E kam marrë në 2017-ën, do të thotë pas dhjetë vjetësh martesë u bë boll më. Nuk ndalej hiç”, u shpreh Elvedina.
Elvedina u divorcua, por më pas u ribashkua me bashkëshortin. Çifti mirëpriti fëmijën e tyre të katërt, por dhuna u rikthye. Ajo kërkoi ndihmën e institucioneve më 2021.
Me urdhër të gjykatës, Elvedina jeton aktualisht në një shtëpi të familjes së bashkëshortit, e cila ndan të njëjtin oborr me shtëpinë ku jeton ai. Bashkëshortit i është ndaluar që t’i afrohet asaj, por Elvedina u shpreh se nuk ndihet e sigurt.
Tash e 20 vjet, Ibadete Krasniqi punon që t’iu siguruar fëmijëve pa kujdes prindëror përkujdesjen e nevojshme.
Që nga viti 2016, ajo udhëheq organizatën OFAP, e cila ka këtë mision.
“Çdo fëmijë duhet të rritet në familje. Po të jetë një familje e shëndoshë, do të thotë familja është e shenjtë. Fëmija është i kompletuar kur rritet në një ambient të shëndoshë familjar”, tha ajo.
Ajo dhe stafi i saj i psikologëve dhe sociologëve përkujdesen vazhdimisht që familjet e interesuara për të marrë në përkujdesje fëmijët, të ndihen gati që të mirëpresin anëtarët e rinj të familjes.
“Zgjohem me atë mendim se sot do ta kemi një gëzim të madh, sepse ndoshta një fëmijë X ose Y, që ndodhet në këtë familje, do të ribashkohet me familjen biologjike ose me nënën biologjike, apo nëse një fëmije i është zgjidhur statusi juridik, ai do të shkojë te një familje e përhershme”, rrëfeu ajo.
Biznes modern me zanatin e vjetër
Cyme Zeqiraj nga Deçani siguron jetesën me pëlhurën që e prodhon përmes veglës tradicionale, që njihet me emrin vek, apo ndryshe i quajtur tezgjah.
“Kur kam mbushur moshën 12 vjeç, kur nëna çohej për të bërë punët e shtëpisë, ta përgatisë ushqimin… unë veçse fillova të hyj në vek. Derisa i kryente nëna punët, unë hyja (të punoja) me vekun e nënës”, tregon ajo se si nisi të përdorte vekun.
Ajo tha se nisi të punonte në vek masi u martua, për shkak se nuk kishte me çfarë t’i mbushte ditët e saj.
“Kur kam filluar të punoj me vek, atëherë ka qenë një plus për mua që edhe nëse nuk do të ishte as ai [burri], as djali, nëse asnjëri nuk do të kishte të ardhura nga askund, ne jetojmë shumë mirë me punën e vekut”, tha Cymja.
Përpos parave që fiton, për Cymen, veku ka vlerë si trashëgimi kulturore dhe mendon se duhet të ruhet e të kultivohet.
Arkitektja që jetëson kukullat
Kur pandemia COVID-19 shkaktoi izolimin më 2021, arkitektja Doruntina Ukimeri nisi të merrej me diçka interesante: krijimin e kukullave të buta, punëdore, lodrave të ndryshme dhe kukullave të teatrit.
Këtë aktivitet, sipas saj, fillimisht e nisi për të kaluar më shumë kohë me vajzën e saj, që atëbotë ishte 2-vjeçare. Por, disa muaj më vonë, krijimi i kukullave u shndërrua në pasion e biznes.
Kukullat e saj morën vëmendjen e regjisorëve dhe ajo u ftua të krijonte kukulla për teatrot e Kosovës.
“Njerëzve iu ka pëlqyer mënyra si i kam bërë [kukullat], edhe regjisorëve të tjerë iu kanë pëlqyer kukullat që unë i kam bërë për Melin [regjisoren e teatrit Melihate Qena] dhe kanë filluar të më thërrasin edhe në shfaqje të tjera dhe dalëngadalë kam filluar me hy me punu me shfaqje në teatrot e Kosovës, në Dodonë, në Teatrin e Gjilanit, Prizrenit…”, tha Doruntina.
Pavarësisht se profesioni i saj, arkitektura është parësor për të, Doruntina krijoi një lidhje të ngushtë me teatrin, dhe tani po punon në një projekt për hapjen e një muzeu të kukullave.