Zëvendëskryeministri i Malit të Zi për politikat ekonomike, Nik Gjeloshaj, ka theksuar se janë disa vija të kuqe të qëndrimit të tij në koalicionin qeverisës. Një nga to është edhe çështja e pavarësisë së Kosovës. Ai ka thënë se nëse Mali i Zi vendos ta heqë njohjen e Kosovës, atëherë ai do të largohej nga Qeveria.
Në një intervistë për portalin malazias “CdM’, zëvendëskryeministri, Nik Gjeloshaj, që është edhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, ka thënë se marrë parasysh ndjeshmërinë politike dhe ngjarjet gjeopolitike, ka disa “vija të kuqe” që s’do të lejonte të kaloheshin.
“Ka disa ‘vija të kuqe’ që s’do t’i kalonim. Kryesisht, këto janë ‘vijat’ që do të binin ndesh me angazhimet e partisë sonë dhe para së gjithash do të rrezikonin: parimet kyçe demokratike, kursin properëndimor të shtetit, anëtarësimin në BE, harmonizimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Malit të Zi me politikat e BE-së dhe NATO-s dhe natyrisht çështja e pavarësisë së Kosovës”, tha Gjeloshaj.
Sipas tij, s’do të ketë bisedime edhe iniciativa për tërheqjen e njohjes së Kosovës. Gjeloshaj ka thënë se së shpejti pret që Qeveria të emërojë një ambasador të ri në Kosovë.
“Ajo që duam dhe duhet të përmirësojmë janë marrëdhëniet e mira fqinjësore me të gjitha vendet fqinje, përfshirë Kosovën”, ka thënë ai.
Gjeloshaj, ka thënë se shumica e shqiptarëve mbështetën hyrjen e Forumit Shqiptar në Qeverinë e Malit të Zi.
“Siç e dini, Forumi Shqiptar është subjekti më i madh politik i shqiptarëve në Mal të Zi dhe si njerëz seriozë, e kemi shqyrtuar me kujdes dhe tërësisht vendimin për t’iu bashkuar koalicionit qeverisës dhe kemi arritur në përfundim se shqiptarët në Mal të Zi duhet të jenë partnerë të vërtetë të të gjitha forcave demokratike dhe properëndimore në Mal të Zi, në rrugën e tyre evropiane e euroatlantike. Dua t’ju kujtoj se populli shqiptar tregoi pjekuri edhe në raste shumë më të vështira në të kaluarën, që në fund rezultoi se ishte qasje e mirë që vetëm sa çoi në faktin që të kemi një shoqëri e mjedis më të mirë për jetën e të gjithëve”, ka thënë Gjeloshaj.