Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e ka quajtur Serbinë shtet policor pas rrahjes brutale të Nikola Sanduloviq nga BIA serbe.
Deputeti Kamberi ka thënë se e përbashkëta e opozitës dhe Aleksandër Vuçiqit janë urrejtja ndaj shqiptarëve.
“Serbia që moti nuk është demokraci, ajo, tani, po kalon edhe kufijtë e autokracisë, ajo po shëndrrohet në shtet policor, sepse policia po merr përsipër të eliminojë kundërshtarët politik të regjimit dhe të idesë së “Botës serbe”, ka shkruar Kamberi.
Kamberi ka thënë se presidenti serb, Vuçiq, të vetmen mënyrë komunikimi me kundërshtarët politik e ka agresivitetin.
“Ky është edhe një rast që dëshmon se të pranosh realitetin e ekzistimi të Kosovës shtet, të pranosh fajin për vrasjet dhe krimet kundër njerëzimit që Serbia i ka kryer në Kosovë, të sulmosh vlerat antievropiane që po i propagon Beogradi zyrtar, do të sulmohesh në mënyrën më brutale nga vetë institucionet e shtetit”, ka shkruar Kamberi.
Sanduloviq u rrah brutalisht nga Shërbimi Sekret i Serbisë (BIA) pasi kishte publikuar një video-incizim duke bërë homazhe tek varri i Komandantit të UÇK-së, Adem Jashari në Prekaz. /Kosovatimes/