Policia e Kosovës vazhdon të theksoj se siguria në trafikun rrugor është prioritet për të gjithë. Policia po kërkon nga të gjithë që të respektohen shenjat e trafikut për një siguri më të madhe rrugore.
Sipas policisë, gjatë 24 orëve të kaluara janë evidentuar gjithsej 55 aksidente në trafikun rrugor.
“Policia e Kosovës me zyrtarët e saj janë duke kryer aktivitete në teren me qëllim që të parandalohen aksidentet rrugore, por edhe janë duke ndërmarr masa ndëshkuese ndaj atyre personave që nuk respektojnë rregullat dhe shenjat në trafik”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, policia njofton se në 24 orët të kaluara në këtë fushëveprim në nivel vendi janë realizuar 545 pika kontrolli të automjeteve, përderisa 34 shoferëve iu janë konfiskuar patentë shoferi për shkelje të ndryshme të rregullave në trafik.
“Apelojmë tek të gjithë shoferët, por edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik që të jenë vigjilent dhe gjatë pjesëmarrjes në rrugë të respektojnë dispozitat ligjore që burojnë nga ligji mbi trafikun rrugor, në mënyrë që secili të kontribuon në zvogëlimin e statistikave të aksidenteve rrugore”, thekson policia. /Kosovatimes/