Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pasditen e sotme e ka kaluar në mesin e nxënësve të Akademisë jCoders, shkollës trajnuese në fushën e teknologjisë të mbi 1000 fëmijëve gjithandej Kosovës.
Aty është pritur nga Arta Shehu Zaimi, themeluesja e kësaj shkolle.
“U gjenda mes programerëve të rinj, fëmijëve e nxënësve me talente të jashtëzakonshme, atyre që të bëjnë të kuptosh se e ardhmja e Kosovës është thjeshtë e ndritur dhe bukur. Më prezantuan dhe punimet e tyre; Paridi për shembull na prezantoi programin e tij që çdo lëvizje trupore e përkthente në imazh simbolesh; ndërsa Rona e Driti na prezantuan ëebfaqet e tyre të programuara në gjuhën javascript. Më pas na prezantoi dhe Dua, fluturaken e saj të ndërtuar në LabBox . Secili nxënës aty kishte një shkathtësi teknologjike të fituar në këtë shkollë”, ka shkruar ai në Facebook.
“Në një vend si Kosova, ku sistemi shtetëror na prodhon PISA-n dhe renditjen tmerruese në fund, shkollat trajnuese në hap me zhvillimet e kësaj dekade bëhen domosdoshmëri. Ato na shërbejnë si model se si duhet të investojmë në teknologji; e si sistemi edukativ, ky që na prodhon PISA-n e sotme, duhet të na transformohet shpejtë në krijues të talenteve botërore”, ka thënë ai më tutje.
Sipas tij, duhet që mundësinë e 1000 fëmijëve në jCoders, sikurse dhe në shkolla të ngjashme të nisura nga Arta e të tjera Arta plot, të amplifikohet në gjithë vendin.
“Prandaj në ‘Rrugën e Re’ kemi paraparë fokus në teknologji informative e në arsim; si dy shtylla thelbësore tonat. Kemi paraparë, ndër të tjerash, edhe: Trajnimin e mbi 40 mijë nxënësve e të rinjve në programim e teknologji. Investime 30 milion euro në laboratorë teknologjike shkollore. Kodimin si lëndë mësimore që nga klasa e parë”, ka shtuar ai. /Kosovatimes/