Gjatë vizitës zyrtare që presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, së bashku me një delegacion shoqërues që sot do të qëndrojë në Republikën e Kosovës, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore) të disa segmenteve rrugore (ku pritet të kalojë eskorta) dhe në afërsi të objekteve shtetërore.
Policia e Kosovës, gjatë kësaj vizite thotë se do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.
“Policia do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në Kosovë, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës në Kosovë”, thuhet në njoftim. /Kosovatimes/