Presidentja Vjosa Osmani pas ceremonisë së homazheve në 27-vjetorin e rënies së heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edmond Hoxha, ka treguar detaje për takimin me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin ka folur për Asociacionin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore drejt fundit të mandatit të tij.
Ajo ka thënë se Lajçakut ia ka shprehur shqetësimet e saj për disa nga pjesët e draftstatutit të Asociacionit, duke thënë se disa nga ndryshimet janë të realizueshme. Por ajo sërish ka përmendur se dritën jeshile për kushtetutshmërisë e draftit e ka Gjykata Kushtetuese.
“Shqetësimet e mia i kam diskutuar më vonë me zyrtarë të lartë të QUINT-it. Këto i kemi diskutuar edhe dje me Lajçakun, ai ka mirëpritur ato dhe ka thënë se shumica prej tyre mund të akomodohen. Megjithatë, unë mendoj që institucioni i cili përfundimisht mund të vendosë për përputhshmërinë me Kushtetutën e Kosovës dhe mund ta drejtojë si mund të zbatohet pa u shkelur Kushtetuta është Gjykata Kushtetuese”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka thënë se me Lajçakun nuk ka arritur që të flasë për ndalimin e qarkullimit të dinarit në Kosovë, për shkak se kanë pasur tema që lidhen me dialogun. Mirëpo, sipas saj BQK-ja ka kryer punën e vet me këtë vendim.
“Neni 11 i Kushtetutës kërkon që Kosova në qarkullim dhe përdorim ta ketë vetëm një valutë dhe është për keqardhje që nuk është zbatuar deri më tani. BQK ka kryer punën e vet në përputhje me parimin e vet dhe siç kërkohet nga ky institucion”, ka thënë ajo.
Osmani ka dhënë detaje se po shqyrtohen disa opsione, në mënyrë që të mos ketë penalizim për komunitetin serb, që deri në zbatimin e këtij vendimi ka operuar me valutën e dinarit.
“Kurse sa i përket zbatimit të këtyre parimeve, janë duke u diskutuar një sërë opsionesh që në njërën anë do ta respektonin nenin 11, por në anën tjetër do të lë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre në llogari të reja në mënyrë që të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate. Siç e dini për çdo çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit tonë, sa herë i kemi aleatët tonë në krahë, atëherë tejkalohen edhe këto sfida dhe realizohet mbrojtja e Kushtetutës sonë në tërësi”, ka thënë Osmani. /Kosovatimes/