Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, ka reaguar pas operacionit që u zhvillua në qendër të Prishtinës, afër stacionit policor. Sveçla ka theksuar se ky objekt është tejet i dyshimtë dhe se paraqet rrezik për sigurinë e vendit.
“Departamenti i Organizatave Joqeveritare në kuadër të MPB-së ka konfirmuar se organizata në fjalë “Centar za Mir i Toleranciju Pristina” nuk ka respektuar legjislacionin në fuqi mbi funksionimin e OJQ-ve. Pas bastisjeve është kuptuar që ajo hapësirë nuk është shfrytëzuar fare për natyrën e kësaj OJQ-je”, ka deklaruar Sveçla.
Sipas tij, Republika e Kosovës është shtet unitar me të drejta e shërbime për gjithë qytetarët pa dallim. “Ka kaluar koha kur në vendin tonë tolerohej paligjshmëria”, ka theksuar ai.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka njoftuar se nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit në koordinim me Policinë e Kosovës, Drejtorinë për Hetime Rajonale në Prishtinë, është duke u realizuar bastisje në një objekt në qendër të Prishtinës, ku dyshohet se janë duke u ofruar shërbime të kundërligjshme mjekësore në këtë objekt. /Kosovatimes/