Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës që është duke e bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka vizituar Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, ku diskutuan për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.
Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Amerika nuk është vetëm aleati kryesor strategjik, por edhe shtëpia për mijëra shqiptarë që u larguan nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.
“Vizitova Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”, ku diskutuam për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon, si dhe për rolin e rëndësishëm të diasporës, veçanërisht lobin shqiptaro-amerikan. Vlerësova rolin e Vatrës në ndihmë të shtetit të Kosovës dhe çështjes shqiptare në përgjithësi në të gjitha etapat. Në takim të përzemërt e vëllazëror fola hapur për nevojën e vazhdueshme që të gjitha organizimet shqiptare në Amerikë të vazhdojnë ta ndihmojnë Kosovën në të gjitha sferat”, ka theksuar ai.
Në takim ai ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO, është synimi ynë kryesor, sepse kjo e bën Kosovën dhe rajonin më të sigurt dhe e ndihmon paqen në botë, gjithnjë krah ushtrive të vendeve demokratike në krye me Amerikën. /Kosovatimes/