Zëdhënësi i BE-së Peter Stano përmendi se vetëm gjatë javës së kaluar Brukseli u detyrua të shprehë shqetësimin dy herë: për shkak të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës si dhe operacionit të mbylljes së zyrave të kontrolluara nga Serbia.

“Këto hapa janë shqetësues sepse nuk po kontribuojnë në de-përshkallëzimin e situatës. Zakonisht ato nuk janë të koordinuara. Ato janë të njëanshme ose të marra pa nivelin e nevojshëm të konsultimit paraprak për të parandaluar ndikimin negativ që mund të kenë tek njerëzit në terren”, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian apeloi tek autoritete e Kosovës që të shmangin hapat e njëanshëm të cilat, sipas tij, kanë efekte kundër produktive. Ndërkohë përsëriti qëndrimin që secila çështje e hapur të zgjidhet në kuadër të bisedimeve me Beogradin.

“Sigurisht është shqetësuese të shihet se renditja e hapave të njëanshëm mund të çojë në diçka që ne nuk duam ta shohim, dhe kjo është përkeqësimi i situatës në terren. Një gjë është e sigurt, kjo nuk po kontribuon në qetësimin e situatës dhe në krijimin e ndjenjës tek njerëzit se jeta e tyre do të përmirësohet. Krejt përkundrazi. Prandaj është e rëndësishme që t’i rikthehemi dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, ka shtuar Stano.

Mirëpo në këtë rrafsh, siç pranoi Stano, BE akoma nuk ka ndonjë datë të mundshme se kur mund të vije deri te takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut.

Takimi i fundit në këtë format u mbajt me 14 shtator ndërsa dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë.