Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi ka pritur sot në takim Ministrin danez të Drejtësisë Peter Hummelgaard dhe ambasadorin danez Christian Gronbech-Jensen, me të cilët diskutuan për zhvillimet në Kosovë dhe qëndrimet e PDK-së lidhur me to.
“Ministrin Hummelgaard e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Danimarka i ka dhënë Kosovës, që nga strehimi i refugjatëve kosovarë gjatë luftës, njohja e pavarësisë, si një ndër shtetet e para, e deri te kontributi për paqe dhe stabilitet, si pjesë e forcave paqeruajtëse të KFOR-it në vendin tonë. Delegacionin e lartë nga Danimarka e njoftova për zhvillimet e fundit në Kosovë, sfidat dhe rreziqet me të cilat po ballafaqohet vendi, si dhe qëndrimet e PDK-së në lidhje me to”, shkruan Memli Krasniqi në profilin e tij në Facebook.
Krasniqi mes tjerash ka potencuar se PDK kërkon që sa më shpejtë të mbahen zgjedhjet e parakohshme.
“Mysafirëve ua shpreha qëndrimin që Partia Demokratike e Kosovës kërkon sa më parë zgjedhje të reja të parakohshme dhe se aktualisht nuk merr pjesë në votimin e pikave në Kuvend të cilat sillen nga ana e Qeverisë, përfshirë edhe Marrëveshjet Ndërkombëtare”, shkruan më tej Krasniqi. /Kosovatimes/