Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, e kundërshtoi që faqet e librit të Kurtajt të pranohen si dëshmi.

Por, pranimi i tyre si prova materiale u bë me kërkesë të ZPS-së, pasi të njëjtat u cituan gjatë seancës në dëshminë e dëshmitarit.

Kurtaj, i cili është dëshmitari i 45-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar e ka vazhduar dëshminë.

Ai është marrë në pyetje prokurori James Pace, i cili filloi ta pyeste për disa vende të Komunës së Kaçanikut dhe Ferizajt.

Prokrori Pace e pyeti dëshmitarin për vendet Kukaj, Biçec, Varosh, Jezerc, e të tjera si dhe për godinat që UÇK ka përdorur në vendin e quajtur Ivaj dhe Bob.

Në pyetjen e prokurorit se kush ishte përgjegjësi i njësitit të UÇK-së në Biçec, dëshmitari Kurtaj tha se përgjegjësi ishte Nazmi Osmani.

Dëshmitari Kurtaj gjatë dëshmisë së tij tha se Brigada 162 të cilën e ka udhëhequr nga 15 maji deri 11 qershor 1999, nuk ka pasur asnjë përgjegjësi në asnjë pjesë të territorit të Ferizajt.

Këtë deklaratë dëshmitari e dha duke iu përgjigjur pyetjes së prokurori Pace, se gjatë vitit 1998-1999, Brigada 162 a ka pasur ndonjë përgjegjësi në ndonjë pjesë të Ferizajt.

Ndërsa, në pyetjen e ZPS-së për njësitin e UÇK-së në Jezerc, dëshmitari tha se nuk ka informata për këtë njësit, sepse nuk ka qenë kompetencë e tij.

Kur dëshmitari është duke u pyetur për citate të librit të tij, ai edhe sot deklaroi që në librin e tij i ka rritur dhe zbukuruar gjërat.