E mërkura e 28 shkurtit sjell presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe disa liderë të Evropës juglindore në kryeqytetin e Shqipërisë, me ftesë të kryeministrit Edi Rama, për mbajtjen e Samitit për Ukrainën.
Ai ka mbërritur në Tiranë pak para mesnatës, sipas ministrit shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Great honor to welcome President @ZelenskyyUa to Tirana.
A pivotal moment for fostering bilateral ties, and standing in solidarity with Ukraine in its heroic fight against Russia’s aggression.
#WeStandwithUkraine pic.twitter.com/ngGan0Mdev
— Igli Hasani (@IgliHasani) February 27, 2024
Kjo do të jetë vizita e parë e Zelenskyt në Tiranë, e cila vjen pak ditë pasi u bënë dy vjet prej se Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Kryeministri shqiptar është shprehur krenar për organizim të samitit.
Kryeministri shqiptar është shprehur krenar për organizim të samitit.
Gjatë pjesëmarrjes në ekspozitën “Ukraina, një krim lufte” në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Tiranë, Rama tha se, përveç pranisë si “bashkorganizator” në samit, Zelensky do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me liderë politikë të Shqipërisë.
Takimet me ta do të zhvillohen para samitit, që do të nisë në orën 11:30.
Në delegacionin e Ukrainës do të bëjë pjesë edhe ministri i Jashtëm i vendit, Dmytro Kuleba.
Kuleba: Samiti dërgon mesazhin se mbetemi të bashkuar
Mëngjesin e 28 shkurtit ai u takua me homologun e tij shqiptar, Igli Hasani.
Kuleba tha se është mirënjohës ndaj Shqipërisë për organizimin e samitit, i cili tha se “dërgon një mesazh të qartë se mbetemi të bashkuar”.
Ai falënderoi Shqipërinë për ndihmën e dhënë gjatë kohës që shteti i tij po përballet me pushtimin rus.
“Është shumë e rëndësishme që Rusia të mbahet përgjegjëse për krimin e agresionit dhe krimet e luftës të kryera në rrjedhën e luftës”, tha Kuleba.
Kryediplomati ukrainas foli edhe për samitin e NATO-s, që do të mbahet në Uashington, dhe përsëriti synimin e shtetit të tij që të bëhet pjesë e aleancës ushtarake perëndimore.
“Pritjet tona janë që mes të tjerash një prej rezultateve të samitit të Uashingtonit do të jetë një hap më përpara drejt anëtarësimit të Ukrainës që në fund të bëjë këtë pjesë të Evropës më të sigurt”, tha ai.
Ndërkaq, kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, njoftoi se autoritetet janë në fazën e përgatitjeve për hapjen e Ambasadës shqiptar në Kiev, duke theksuar se shpreson që inaugurimi të ndodhë “në muajt e ardhshëm”.
“Shqipëria mbështet lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës. Shqipëria dënon me forcë agresionin rus kundër Ukrainës”, tha Hasani, duke shtuar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë Kievin gjatë luftës, por edhe në fazën e pasluftës, në rindërtimin e shtetit.
Çfarë është Samiti për Ukrainën?
Këtë samit, Rama e kishte paralajmëruar qysh më 22 janar, gjatë pjesëmarrjes në konferencën “Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe integrimi më i shpejtë në BE”, që ishte mbajtur në Shkup të Maqedonisë Veriut.
Atëkohë, ai kishte thënë se në të do të flitej për çështje të sigurisë dhe për mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj kundër agresionit rus.
Sipas agjendës që u publikua, Rama dhe Zelensky pritet të mbajnë fjalime hapëse dhe pastaj një takim prapa dyerve të mbyllura.
Samiti do të përmbyllet me daljen e tyre në një konferencë për media.
Kush do të marrë pjesë?
Përveç Ramës e Zelenskyt, pjesëmarrës do të jenë edhe disa liderë të shteteve të Evropës juglindore dhe komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhleyi.
Kosovën në këtë samit e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani.
Siç merret vesh, të pranishëm do të jenë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.
Liderë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Bosnje e Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi – pritet të qëndrojnë në Tiranë edhe të enjten.
Më 29 shkurt, në kryeqytetin shqiptar do të zhvillohet samiti rajonal për planin e rritjes dhe integrimin më të shpejtë në BE.
Edhe në këtë samit do të marrë pjesë komisionari i BE-së, Varhelyi.
Tash për tash, nuk është e qartë nëse dikush nga Kosova do të marrë pjesë. Kryeministri Albin Kurti, i cili në të kaluarën ka qenë pjesëmarrës në samite lidhur me planin e rritjes së BE-së, këtë javë gjendet në Britani të Madhe.
Samitin e përcjellin masa të shtuara të sigurisë
Tirana do të karakterizohet me masa të shtuara të sigurisë gjatë dy ditëve të këtyre samiteve.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit të Shqipërisë, Rebani Jakupi, lajmëroi në një konferencë për media më 27 shkurt se, për shkaqe sigurie dhe për ta lehtësuar lëvizjen e delegacioneve, disa rrugë në Tiranë do të jenë të mbyllura.
“Në këtë kuadër, Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Gardën e Republikës dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, ka hartuar një plan të detajuar masash për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtyre dy ditëve”, tha ai.
Edhe një ditë para fillimit të samitit, ekipi i Radios Evropa e Lirë vërejti njësi të shumta policore pranë lokacioneve ku do të zhvillohen aktivitetet.
Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Ukrainës
Pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia, më 24 shkurt, 2022, Shqipëria ishte rreshtuar përkrah Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mbështetje të Ukrainës.
Në kuadër të kësaj mbështetjeje janë miratuar disa vendime, që lejojnë shtetasit e Ukrainës të hyjnë dhe qëndrojnë pa leje të qëndrimit në Shqipëri për një periudhë njëvjeçare.
Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) për vitin 2022, nga 32 mijë ukrainas që hynë në Shqipëri pas nisjes së luftës, rreth 2.500 qëndruan edhe përtej 2022-tës në këtë vend.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, tha në janar të vitit të kaluar se Shqipëria do të hapë një ambasadë në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Megjithatë, një gjë e tillë nuk u realizua ende.
Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë vendosur më 13 janar, 1993, ndërsa Ukraina ka hapur ambasadën e saj në Tiranë në shtator të vitit 2020.
Ambasador i saj është emëruar Volodimir Shkurov, i cili është ende në detyrë.
Në rajonin e Odesës në Ukrainë jetojnë rreth 3.500 shqiptarë.
Ukraina kërkon mbështetje nga Perëndimi
Ukraina mbështetet shumë në furnizimet me armatim dhe municione nga aleatët e saj perëndimorë, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, për t’iu rezistuar sulmeve gjithnjë e më intensive nga forcat ruse.
Së voni, zyrtarët ukrainas kërkuan mbështetje të mëtejme nga Perëndimi, teksa Zelensky tha se fitorja e Ukrainës në luftën kundër Rusisë varet nga kjo mbështetje.
Ai gjithashtu tha se shpreson se pakoja prej 60 miliardë dollarësh nga ShBA-ja – që ka hasur në rezistencë në miratim nga ana e përfaqësuesve të Partisë Republikane – do të miratohet.
Ndërkohë, gjatë një samiti të udhëheqësve të Evropës në Paris, më 26 shkurt, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ka një “konsensus të gjerë për të bërë më shumë dhe më shpejt” për Ukrainën, e cila, tash e dy vjet, është duke luftuar pushtimin rus.
Pjesëmarrësit ranë dakord që të krijojnë një koalicion për ta furnizuar Ukrainën me raketa me rreze të mesme dhe të gjatë, si dhe me bomba.
Macron tha se “nuk ekziston ndonjë konsensus” për dërgimin e trupave tokësore evropiane në Ukrainë, për të luftuar në anën e saj, por shtoi se “asgjë nuk duhet të përjashtohet për të arritur objektivin tonë”.
Kremlini i paralajmëroi aleatët evropianë të Kievit se dërgimi i trupave në Ukrainë, do të çonte “pashmangshëm” në luftë midis Rusisë dhe NATO-s.