Të rinj nga vendet e Ballkanit Perëndimor po punojnë për paketa të reja turistike në Luginën e Drinos në Gjirokastër. Në qendër të aktivitetit janë manastiret qindravjeçare ortodokse dhe zonat përreth tyre, që mbartin mjaft vlera për tu vizituar nga turistët. Aktiviteti i të rinjve mbështete nga organizata “Trashëgimi Kulturore pa kufij” me financimin e Fondit të Ambasadorëve amerikanë për Trashëgiminë Kulturore pranë Departamentit amerikan të Shtetit.
Një grup prej 16 të rinjsh nga vendet e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur së bashku në Gjirokastër për të punuar për një paketë të re turistike për rajonin.
Paketa përfshin manastiret qindravjeçare ortodokse në Luginën e Drinos thotë për Zërin e Amerikës koordinatori i projektit Arnold Kapijova.
“Ne synojmë të dokumentojmë të gjitha pikat kyçe të interesit, asetet kulturore të zonës, vendet me interes dhe site të mundshme të trashëgimisë kulturore që mund të ndodhen përgjatë shtigjeve”, thotë ai.
Synimi i të rinjve thotë më tej Arnoldi është për të krijuar një platformë digjitale për këto shtigje kulturore, që të bëhen të prekshëm nga turistët dhe për t’i shërbyer zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm dhe miqësor me natyrën.
“Të rinjtë janë shumë të interesuar pasi ata e shohin që kjo lloj praktike lidhet me shtimin e një oferte turistike për rajonin por edhe të një turizmi të që qëndrueshëm, pra nuk është një lloj turizmi që është shkatërrues i natyrës por është krejt e kundërta. Është edhe në fakt një lloj turizmi që është turizëm kulturor”, thotë ai.
Njëri prej të rinjve , Sotiraq Dame, i cili organizon udhëtime në Luginën e Drinos për turistët e huaj thotë se u përfshi në këtë projekt për të krijuar shtigje të reja kulturore.
“Grupi im mbulon zonën e Mingulit në pjesën e Lunxhërisë dhe po bëjmë itinerare të ndryshme brenda dhe jashtë fshatit për të nxjerrë disa shtigje për të vizituar të paktën tre kishat dhe Manastirin e Shën Sotirit që ndodhet në këtë zonë. Po mundohemi të krijojmë diçka që të jetë jo vetëm më e lehtë për njerëzit por të jetë diçka që të tërheqë interes dhe të krijojë një njohje më tepër”
Shumë nga manastiret ortodokse u braktisën gjatë regjimit komunist pas të ashtuquajturit “revolucion kulturor “ në vitin 1967 por komunitetet vendore kthyen vëmendjen pas viteve nëntëdhjetë.
Manastiret kanë nevoja për restaurime dhe një pjesë e programit që mbështetet financiarisht nga Fondi i Ambasadorëve amerikanë për Trashëgiminë Kulturore pranë Departamentit amerikan të Shtetit pritet të përqëndrohet edhe në këtë aspect, thotë drejtuesja e organizatës “Trashëgimi kulturore pa kufij”, Helena Mamani.
“Këtë radhë jemi fokusuar në Manastiret e Luginës së Drinos sepse mendojmë që vlerat e tyre janë të paeksploruara dhe janë lënë pak në harresë. Kjo zonë është mjaft e pasur me trashëgimi kulturore dhe është shumë pranë qytetit të Gjirokastrës dhe është shumë mirë mund që t`i shërbejë dhe vetë Gjirokastrës për të zgjeruar paketën turistike që vizitorët të shkojnë t`i vizitojnë dhe t`i njohin këto manastire. Qëllimi i projektit është edhe për t`i mbrojtur disa këto manastire, në disa prej tyre do të kryhen ndërhyrje konsoliduese dhe restauruese”, thotë ajo.
Turizmi kulturor ka shënuar një rritje të ndjeshme vit pas viti në Shqipëri dhe zona e Luginës së Drinos shihet si një nga qendrat më të rëndësishme me 5 qytete të mëdhenj antikë, 15 kala dhe qindra monumente.