Histori – si fjalë vjen nga gjuha greke “Istoria” e cila në gjuhën shqipe përkthehet shënim, tregim apo rrëfim. Historia është shkencë shoqërore e cila njihet si mësuesja e njerëzimit, pasi ajo merret me prejardhjen e njerëzimit. Duke shpjeguar ngjarje të ndodhura në kohët e lashta të së kaluarës, historia ndikon në ndërtimin e kohës së tashme. Nëpërmjet paraqitjes së dy kohëve të kaluarës dhe të tashmes, historia studion edhe të ardhmen e njerëzimit.
Filozofi dhe historiani i periudhës antike greke Herodot ishte shkrimtari i parë që ka trajtuar lëndët historike duke përdorur një metodë të hulumtimit sistematik, gjegjësisht duke i mbledhur materialet e tij e më pas duke i vendosur ato në mënyrë kritike në një tregim historiografik, i cili tregim përmban përpjekjet e brezave të mëvonshëm për të njohur rrjedhën e ngjarjeve të proceseve të brezave të mëparshëm. Herodoti ka të shkuar veprën “Historia e Herodotit” me nëntë libra.
Në veprat e Herodotit gjejmë të dhëna të shumta për pellazgët dhe ilirët, të cilat periudha kohore mësohen edhe nga nxënësit kosovarë nga librat e historisë në arsimin e mesëm të ulët dhe atë të lartë.
Në librat e historisë nxënësit mësojnë për historinë e kohës parahistorike, atë historike, mesjetën, kohën e re dhe kohën më se të re.
Por, në tekstet shkollore të historisë dhe tekste të tjera që ndërlidhen me këtë fushë në shkollat shqipe nuk ka mjaftueshëm materiale për historinë e Kosovës, gjegjësisht ngjarjet e shumta dhe të ndryshme të dekadave të fundit të cilat ishin pjesë e rrugës së popullit shqiptarë në ndërtimin e shtetësisë.
Dashurinë me njohjen përtej vetës për atdheun në këto vargje e pasqyroi poeti Ali Podrimja.
Poezia “Unë biri yt Kosovë” është Himni i secilit shqiptarë të Kosovës.
Madje ajo mësohet me shumë krenari nga nxënësit në arsimin fillor.
Të tillë e paraqiti para shoqeve dhe shokëve të klasës së pestë, nxënësja Jora Shala, në shënimin e datave historike të muajit mars për Kosovën, apo siç njihet tani Epopeja e UÇK-së.
Përgjatë tri ditëve më 5, 6 dhe 7 mars, në këto ditë të Epopesë së UÇK-së, në lëndën e gjuhës shqipe nxënësit në arsimin fillor shfaqën njohurit e tyre për sfidat, rrugëtimin e UÇK-së deri në shpalljen e shtetësisë së Kosovës.
Epopeja e UÇK-së, datat 5, 6, 7 marsi, vetë emri i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vijnë nga gjeneza e sakrificës, lavdisë, flijimit të familjes Jashari, në mbrojtjen e atdheut dhe çlirimit të vendit nga pushtuesi dhe gjenocidi i shtetit të Serbisë.
Për 45 minuta, në orën e Gjuhës Shqipe, në 26 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, mësimdhënësit dhe nxënësit kujtuan heroizmin e familjes Jashari, sakrificën dhe vlerat e kombit shqiptarë.
Lavdia dhe sakrifica e familjes Jashari dhe e gjithë popullit shqiptarë në çlirimin e vendit, sipas mësimdhënësve u mësohet nxënësve çdo ditë, e jo vetëm në data të shënuara historike.
Sakrificën, flijimin, madhështinë e familjes Jashari të dhënë për lirin e Kosovës, nuk mund t’i përshkruajnë me fjalë historianët e gjithë botës, edhe po të merrnin mundin që të shkruanin, për vjet me radhë thonë mësimdhënësit.
Përjetësimi, është çmimi i vetëm nga populli shqiptarë që mund t’i bëhet familjes Jashari.
Por, këtë nuk janë munduar ta bëjnë edhe shumë tekst shkruesit e librave shkollor të historisë dhe fushave të ngjashme kurrikulare, pasi ngjarjet e Epopesë së UÇK-së dhe vepra e familjes Jashari nuk zënë vend mjaftueshem në tekstet shkollore në arsimin fillor nga klasa e parë deri në të pestën.
Për të gjitha ngjarjet e viteve të 90-ta deri në shpalljen e shtetësisë, e në veçanti ngjarjet e Epopesë, nxënësit e klasave të pesta i kanë dëgjuar si rrëfime nga familjarët, e në shkolla i kanë mësuar nga projektet e përgatitura nga mësimdhënësit pasi si njësi mësimore mungojnë në tekstet shkollore.
Në librin shkollorë të gjuhës shqipe të klasave të pesta nga e gjithë përmbajtja e tekstit, zhvillimet në Kosovë përgjatë tri dekadave pasqyrohen në vetëm dy njësi mësimore: “Çfarë feste është 17 shkurti” në të cilën si detyra është: shkruaj në tabelën e të dhënave një veprimtari që keni bërë në klasë për këtë festë, duke vazhduar tutje me poezinë “Unë, biri yt, Kosovë” nga Ali Podrimja.
Në njësinë tjetër mësimore në këtë tekst shkollor është “Në Kosovën tonë” e cila në përmbajtje shfaqë rrëfimin e një vizitori i cili në njërin nga përvjetorët e shtetësisë së Kosovës realizon vizitën në qytetet dhe vendet historike të vendit tonë.
Sakrifica, flijimi, madhështinë e familjes Jashari të dhënë për lirin e Kosovës, pasqyrohen në këtë tekst me vetëm dy rreshta:
“Nga këtu morëm rrugën për në Prekaz. Donim ta vizitonim Kompleksin Memorial të luftëtarit të madh, Adem Jasharit. Ky kompleks – muze mbartte historinë e luftës çlirimtare të Kosovës. Në hyrje të tij gjendet fotografia e Adem Jasharit me mbishkrimin “Ai është gjallë”. Kishte shumë njerëz. Të gjithë kishin ardhur të merrnin pjesë në këtë festë madhështore. ishte një ditë e paharruar për ne.”
Njëra nga detyrat në këtë njësi mësimore në të cilën si fotografi është pasqyruar Kompleksi Memorial Adem Jashari dhe aty kërkohet të shkruhen informacione mbi këto pika:
“Periudha historike së cilës i takon ilustrimi; përshkrimi i ndërtesës historike; figura historike të asaj kohë”.
Nëse një nxënës i klasës së pestë për ngjarjet e familjes Jashari bazohet vetëm në tekstin shkollor të Gjuhës Shqipe, pa dëgjuar rrëfimet e mësueses dhe familjarëve, nga mungesa e informacioneve në librin shkollor nuk do të ketë sukses në realizimin e detyrës pasi njohurit e tij mbi këto ngjarje do të jenë të mangëta.
Pikërisht për këtë mësuesja Fortesa Metaj tregon se duhet gjithnjë punë shtesë me projekte e përgatitje të materialeve të shumta që nxënësit të jenë mirë të informuar për historinë e Kosovës.
Pavarësisht kësaj, kureshtja e fëmijëve ka bërë që ata të shkojnë dhe të vizitojnë së bashku me shokët dhe shoqet e klasës, kompleksin memorial në Prekaz, për të mësuar më shumë për historinë e popullit të tyre.
Pjesë të historisë së Kosovës për nxënësit e klasave të pesta janë të përfshira edhe në tekstin shkollor “Shoqëria dhe Mjedisi” në dy njësi mësimore: “Pavarësia e Kosovës” dhe “Kosova dhe fqinjët e saj”.
Në njësi mësimore “Pavarësia e Kosovës” lufta e UÇK-së dhe sakrifica e familjes Jashari për lirin e vendit pasqyrohet në vetëm këto rreshta:
“…si pasojë e vështirësive për të siguruar pavarësinë, UÇK-ja organizoi rezistencë dhe çlirimin e Kosovës nga pushtimi serb. Simbol i kësaj lufte është heroi Adem Jashari, bashkë me familjen e tij.”
Mësimdhënësit klasor kërkuan nga institucionet gjegjëse që në tekste shkollore edhe në arsimin fillor të përfshihen ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kosovës, që fëmijët të frymëzohen me dashuri ndaj vendit dhe te njohin sakrificen e brezave te tere.
Historiani Sadik Krasniqi domosdoshmërinë e përfshirjes së ngjarjeve historike të ndodhura në Kosovë përgjatë tri dekadave në tekste shkollore e vlerëson shenjë falënderuese ndaj sakrificës të secilit qytetar për lirinë e Kosovës.
Mos përshkrimi në librat shkollor për kontributin e dhënë të familjes Jashari për çlirimin e vendit, historiani Sadik Krasniqi e cilëson humbje të identitetit të popullit shqiptar.
“Duke qenë falënderues për kontributin e dhënë populli i Kosovës do të duhej t’i kushtonte vëmendje më të madhe atyre që kontribuuan, të trajtoheshin më korrekt nga arti e historia, nuk është bërë sa duhet por është shumë me rëndësi që në kuadër të kurrikulave të arsimit tashmë lufta çlirimtare të përfshihen në plan-programe mësimore sepse është një vlerë me rëndësi”, tha Krasniqi për emisionin “Kriter”
Plotësimin e mungesës së informacioneve mbi historinë e Kosovës, mësimdhënësit vënë në dukje se e plotësojnë duke i dërguar fëmijët në vizita në monumente të shumta dhe të ndryshme historike në vendin tonë.
Emocionet e fëmijëve kur ata takohen me të kaluarën, rrugën e sakrificën drejt lirisë të cilën ata e jetojnë sot, cicëroni në muzeun e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, Xhevat Imeri tregon se janë të pa përshkuara.
“Ka pas raste të caktuara që kanë pas emocione edhe më të vegjlit dhe pak lexohet për këtë histori por janë familjarët që flasin për ngjarjet ”, tha Xhevat Imeri.
Ngjarjet e pavdekshme, epopeja e UÇK-së të cilat data janë vula e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës, për të qenë frymëzim i fëmijëve për të ardhme sa më kontributdhënëse, mësimdhënësit vënë në dukje se duhet t’iu përkujtojnë çdo herë dhe t’iu rikujtojnë nxënësve se kush janë paraardhësit e tyre.