Në dy komisione të Parlamentit Evropian pritet të miratohet të hënën në mbrëmje raporti për pozicionin e këtij institucioni të BE-së për planin për zhvillim dhe reforma për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor – një paketë prej gjithsej 6 miliardë eurosh dedikuar investimeve në këto vende.
Ky votim është pjesë e procedurës së rëndomtë, në mënyrë që vendimi i BE-së të bëhet formal.
E, për t’u bërë formal, hapi i fundit është që për këtë vendim, të propozuar fillimisht nga Komisioni Evropian, të pajtohen në negociata të përbashkëta Këshilli i BE-së që përfaqëson 27 vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian.
Fjala është për një prej paketave më ambicioze që Bashkimi Evropian ka planifikuar për vendet e rajonit, të cilat synojnë anëtarësimin në BE.
Kjo paketë është e veçantë, krahas fondeve që tashmë janë në dispozicion në kuadër të programeve të para-anëtarësimit, të njohura me shkurtesën IPA.
Me këtë plan, BE-ja synon të stimulojë rritjen ekonomike në gjashtë vendet e rajonit, paralelisht të ndihmojë procesin e reformave dhe, në këtë mënyrë, t’u ndihmohet këtyre vendeve që të bëhen gati sa më shpejt për t’u anëtarësuar në BE.
Sipas këtij plani, që fillimisht e ka paraqitur Komisioni Evropian e tash e ka mbështetur edhe Këshilli, për vendet e rajonit do të ndahen 2 miliardë euro në formën e parave të gatshme pa kthim, ndërsa 4 miliardë euro do të jenë në formën e kredive të favorshme.
Por, të tria institucionet e BE-së kanë insistuar se vendet e rajonit, për të përfituar nga kjo paketë e asistencës financiare, duhet të përmbushin një varg kriteresh jo edhe aq të lehta.
Në mesin e tyre janë kriteret bazike, të cilat vlejnë njëlloj për të gjitha vendet anëtare. Ato kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, respektimin e parimeve të demokracisë, reformat institucionale dhe ndërmarrjen e hapave të domosdoshëm për të siguruar se mjetet nuk do të keqpërdoren.
Në propozimet e të tria institucioneve të BE-së, që tash duhet të negociohen për t’u miratuar si një vendim i përbashkët, përmendet kushti për kontrolle financiare dhe auditime të pavarura.
Tërhiqet vërejtja se pagesat për projekte të vendeve të rajonit, do të jenë të kushtëzuara me kritere strikte që kanë të bëjnë me reforma. Para se të bëhet pagesa, Komisioni Evropian duhet të raportojë se janë përmbushur kushtet dhe vendimin duhet ta miratojë Këshilli.
Në rast se konstatohet se ndonjë vend nuk i përmbush më kriteret, atëherë do të suspendohen pagesat.
Pos kritereve që kanë të bëjnë me reforma dhe sundimin e ligjit, do të ketë edhe kritere politike.
Për Kosovën dhe Serbinë “para-kusht tjetër” do të jetë “angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes tyre, me qëllim të zbatimit të plotë të obligimeve përkatëse që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksi për implementim” dhe “angazhimi në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve”.
Për kushtëzimin specifik ndaj Kosovës dhe Serbisë ka pajtim nga të tria institucionet e BE-së. Por, Parlamenti Evropian kërkon që të sqarohen kriteret, në bazë të të cilave do të bëhet vlerësimi nëse njëri apo tjetri vend i ka përmbushur kushtet.
Sipas praktikës, kompetencat për të bërë vlerësime për këtë i ka Komisioni Evropian, i cili duhet të marrë parasysh edhe kontributin e Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS).
Diplomatët në Bruksel tërheqin vërejtjen se ky kusht nuk duhet të kuptohet me lehtësi as nga Kosova e as nga Serbia.
“Nëse sot do të duhej të vendosej për pagesat për Kosovën dhe Serbinë, vendimi nuk do të ishte pozitiv, sepse asnjëra palë nuk i ka përmbushur obligimet nga marrëveshjet e dialogut dhe për këtë BE-ja ka shprehur edhe keqardhje”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një diplomat i BE-së.
Pritet që në negociatat nga 14 marsi deri më 2 prill mes delegacioneve të Parlamentit Evropian dhe Këshillit, një prej temave ku mund të ketë dallime të jetë përshtatja e vendeve të rajonit me politikën e jashtme të BE-së.
Këtu ka dallim në tekstet e përgatitura nga Këshilli dhe ai nga Parlamenti Evropian, ndonëse të dyja përmendin përshtatjen në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë. Por, Këshilli këtë e përmend si “pritje” ndërsa Parlamenti si “parakusht”.
Në njoftimin e Këshillit të BE-së nga 6 marsi, kur ishte arritur pajtimi i 27 vendeve anëtare, thuhej se “një fokus i forcuar i kushtohet përshtatjes së partnerëve me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë”.
Por, në atë dokument të miratuar nuk përmendet në mënyrë të prerë si parakusht përshtatja me qëndrimet e politikës së jashtme. Në të thuhet në mënyrë më të përgjithësuar se “përfituesit duhet të dëshmojnë përkushtim të besueshëm ndaj vlerave evropiane edhe përmes përshtatjes së tyre me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Unionit, përfshirë edhe masat restriktive”.
Parlamenti Evropian ka propozuar që përshtatja me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme të jetë parakusht i qartë dhe të përmendet edhe formalisht se kjo nënkupton edhe mbështetjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
“Parakusht tjetër duhet të jetë përshtatja me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Unionit, përfshirë edhe miratimi i masave restriktive ndaj Rusisë, sikur edhe me politikën e BE-së për vizat për vendet e treta”, thuhet në propozimin e Parlamentit Evropian.
Ky kusht, nëse pranohet kërkesa e Parlamentit Evropian, do të thotë se asnjë vend i cili nuk i ka mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës, nuk mund të marrë pagesa nga ky fond.
Serbia është i vetmi vend i rajonit, i cili deri më tash nuk është përshtatur me qëndrimet e BE-së sa u përket sanksioneve ndaj Rusisë.
Nga propozimi i Parlamentit Evropian është hequr fjala “përshtatje e plotë”, sepse kjo do t’u hapte mundësi vendeve të ndryshme të BE-së apo Komisionit Evropian për interpretim shumë të gjerë të kushtit dhe me këtë do të kishin problem disa shtete, sidomos Serbia, Bosnje e Hercegovina, por edhe Kosova.
Bosnja e Hercegovina, për momentin, sikur edhe Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë përshtatje 100 për qind me qëndrimet e BE-së. Por, në rastin e Bosnje e Hercegovinës kjo shpesh varet nga fakti se kush në cilin moment është ministër apo kryetar i Qeverisë.
Serbia e ka nivelin e përshtatjes diku rreth 60 për qind. Kosova, e cila vetëm se ka aplikuar për anëtarësim në BE, nuk ka nevojë formalisht të përshtatet, por ajo në shumë raste e ka bërë këtë në mënyrë të njëanshme dhe BE-ja e ka mirëpritur.
Megjithatë, disa diplomatë kanë tërhequr vërejtjen edhe për Kosovën se nuk ka 100 për qind përshtatje me qëndrimet e BE-së. Si shembull kanë përmendur hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem, që është në kundërshtim me qëndrimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian.
Gjithsesi, ata tërheqin vërejtjen se të gjitha vendet e rajonit, nëse seriozisht synojnë t’i përdorin mjetet nga plani i rritjes ekonomike, duhet seriozisht dhe shumë shpejt të nisin me përmbushjen e kritereve.