Kryeministri Kurti në konferencën me gazetarë ka folur mes tjerash edhe për dinarin serb, për të cilin tha se në Kosovë, sipas Kushtetutës, i vetmi mjet pagese është euro. Kurti ka folur për vendimin dhe rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, për të cilin tha se është i pangeociueshëm.
“Ende nuk ka përfunduar dita e sotme për dërgimin e propozimeve tona. Duhet të kihet parasysh një gjë: Rregullorja e BQK-së është e panegociushme. Është vendim i pavarur i këtij institucioni të pavarur të shtetit tonë”, ka deklaruar Kurti, sipas të cilit, BQK si institucion, “është edhe sipër nesh edhe na prinë’”.
Kurti ka sqaruar se BQK, përveç që kanë marrë një vendim më 27 dhjetor për këtë çështje, ai institucion ka bërë një plan 10-pikësh për tranzicion të lërueshëm tremujor.
“Nëse ka pasoja në terren që kanë të bëjnë me resore te ekzekutivit ne do t’i përgjigjemi, gjithashtu”, deklaroi mes tjerash kryeministri Kurti, derisa shtoi se i vetmi mjet pagese është euroja dhe jo Dinari, Leku apo Dardani.
Kurti: Nëse opozita dëshiron zgjedhje, mund ta shpërbëjmë Kuvendin
E për zgjedhjet në Kosovës, ai edhe një herë tha se gjithçka ndërtohet mbi hipotezën se opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme. “Unë vetëm e kam shprehur gatishmërinë, që nëse opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme mund ta bëjmë me dy te tretat e kuvendit, e shpërndajmë Kuvendit dhe shkojmë në zgjedhje”, deklaroi ai.
“Nëse opozita ndihet rehat ne jemi edhe më rehat, pra ne po qeverisim mbarë e mirë, dhe këto janë të arriturat, jemi rehat në punën që e bëjmë, pra vetëm nëse opozita dëshiron zgjedhje, ne jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë për shpërndarjen e Kuvendit, por nuk ka pse të rrezohet qeveria, e cila është e mbarë dhe e mirë”, tha Kurti.
Kurti: Dialogu mbetet opsionin e katërt i qeverisë
I pari i qeverisë foli edhe për bisedimet, duke ritheksuar se dialogu nuk është ndër tri prioritetet e para të qeverisë, sepse, sipas tij, prioritet ka qenë pandemia, punësimi dhe drejtësia.
“Dialogu më shumë ju ka marrë kohë juve se neve. Neve na ka marrë kohë qeverisja e mirë. Çka merr vëmendje mediale e ndërkombëtare nuk është përgjegjësi jona. Dialogu është prioritet i katërt. Pandemia, punësimi e drejtësia kanë qenë tri prioritetet e para. Nuk është që dialogu na ka marrë kohë sa mendoni ju. Do të ishte mirë që të na merrte më pak kohë. Normalizimi i marrëdhënieve s’është veç në dorën tonë. Unë e kam pranuar Marrëveshjen Bazike e cila është arritje e madhe e politikës së Jashtme të Kosovës, e cila e ka edhe Aneksin e zbatimit. Por, ajo marrëveshje po shkelet vazhdimisht nga zyrtarët serbë”, ka thënë kryeministri.