Guvernatori i Edrenesë, Yunus Sezer, theksoi se ky qytet turk përfaqëson kryqëzimin e rrugëve, kufijve, lumenjve dhe kulturave dhe se lidh Evropën me Azinë.
Në qytetin turk të Edrenesë u organizua një iftar i madh në natyrë, ku morën pjesë pesë mijë persona.
Iftari në sheshin qendror të Selimiye u organizua nga Platforma për Bashkëpunim me Qytetet e Ballkanit në Zyrën e Guvernatorit të Edrenesë, një qytet jo shumë larg kufirit me Greqinë dhe Bullgarinë, sipas Anadollit.
Kryetari i Drejtorisë për Çështje Fetare (Diyanet) të Turqisë, Ali Erbas, në një fjalim para të pranishmëve tha se është i lumtur kur sheh që besimtarët po e presin iftarin së bashku.
Ai theksoi se Ramazani është muaj i bashkimit dhe solidaritetit dhe se qytetërimi islam mbron dashurinë dhe respektin.
“Qytetërimi ynë është një qytetërim që sjell në botë përvojën e të jetuarit së bashku në paqe me njerëz që kanë besime dhe kultura të ndryshme. Ballkani është pikërisht një nga rajonet më të rëndësishme ku kjo përvojë ndodh realisht,” tha ai.
Guvernatori i Edrenesë, Yunus Sezer, theksoi se ky qytet turk përfaqëson kryqëzimin e rrugëve, kufijve, lumenjve dhe kulturave dhe se lidh Evropën me Azinë.
“Sonte me padurim presim iftarin me vëllezërit, miqtë dhe bashkatdhetarët tanë nga Ballkani. Në tryezën e iftarit u mblodhëm pjesëtarë të feve, kombeve dhe kulturave të ndryshme. Ky unitet është pasqyrë e pasurisë së hapësirës gjeografike të Ballkani”, tha Sezer.
Shefi i Drejtorisë për Diasporë dhe Komunitete të Përafërta të Turqisë (YTB), Abdullah Eren, theksoi se kjo organizatë ofron mbështetje për bashkatdhetarët në rajonin e Ballkanit me projekte arsimore, kulturore dhe sociale.
Përveç zyrtarëve turq, në iftar morën pjesë përfaqësues diplomatikë të Kroacisë, Bullgarisë, Rumanisë, Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera, përfaqësues fetarë të Malit të Zi, Serbisë, Shqipërisë dhe qytetarë të shumtë nga Ballkani dhe banorë të Edrenesë.