Sot është plaçkitur e demoluar shtëpia e avokatit të ndjerë, Bajram Kelmendi. Sipas vajzës së tij, avokates Kosovare Kelmendi, policia ka reaguar shumë shpejt, duke arrestuar pesë të dyshuar.
Shtëpia që ndodhet në rrugën që mban emrin e avokatit të vrarë nga forcat serbe bashkë me dy djemtë e tij.
Kelmendi nuk deshi të deklarohej për RTK-në, me arsyetimin se është e zënë duke u marrë me riparimet.
Megjithatë, më vonë, në rrjetet sociale, ajo falënderoi policinë për veprim të menjëhershëm.
“E falënderojmë Policinë e Kosovës për profesionalizmin e jashtëzakonshëm dhe efikasitetin që kanë treguar në këtë rast, duke iu përgjigjur thirrjes sime dhe duke reaguar në kohë rekord prej pesë minutash, për t’i kapur në flagrancë-brenda në shtëpi kryerësit e veprës”, shkroi Kosovare Kelmendi.
RTK kërkoi më shumë informacione nga policia, por nuk i është kthyer përgjigje.