Shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov, mbërriti sot në Kinë, njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë.
Kjo është vizita e parë e Lavrov në Kinë pasi importuesit rusë filluan të kishin probleme me institucionet financiare kineze.
Bankat kineze kanë filluar të kërkojnë masivisht nga dërguesit rusë të pagesave informacione për qëllimet përfundimtare të përdorimit të produkteve për të cilat transferohen paratë dhe për përdoruesit e tyre përfundimtarë.
Qasja ndryshon. Kur bëhet fjalë për përdoruesite fundit disa banka dhe degë janë të kënaqura të shpjegojnë nëse artikulli do të rishitet dhe, nëse po, se do të përdoret për qëllime civile dhe jo ushtarake. Të tjerë kërkojnë emrin dhe aktivitetet e marrësit përfundimtar, sipas nëntë importuesve që morën kërkesa të tilla këtë javë. Dhe, më e rëndësishmja, në gjysmën e kërkesave të importuesit atyre u kërkohet të garantojnë se marrësi përfundimtar nuk është në asnjë mënyrë i lidhur me ushtrinë ruse ose kompleksin ushtarako-industrial, vunë në dukje bashkëbiseduesit e The Moscow Times.
Pa këtë informacion, banka nuk do të zhbllokojë transferimin – dhe së fundmi, pagesat ruse kanë ngecur në bankat kineze për një kohë të gjatë. “Sipas statistikave nga banka ruse me të cilën punojmë, jo më shumë se 25% e pagesave kanë shkuar në Kinë që nga 1 marsi,” tha pronari i një kompanie eksport-import.
Lavrov, i cili do të qëndrojë deri nesër në kryeqytetin kinez, do të takohet me shefin e diplomacisë kineze, Wang Yi.
Në takim, zyrtarët do të diskutojnë një sërë temash, duke përfshirë luftën në Ukrainë dhe situatën në rajonin Azi-Paqësor.