Kryeministri sllovak Robert Fico tha sot se ai nuk do të zbatojë rregullat e reja të Bashkimit Evropian për migracionin, një shenjë e tensionit të vazhdueshëm mbi këtë çështje, pavarësisht arritjes së një marrëveshjeje pas vitesh negociatash.
“Ne themi pa mëdyshje se nuk mund të urdhërosh një vend të pranojë, në rastin e Sllovakisë, deri në 300 emigrantë për të cilët nuk di asgjë, ose të paguajë 20,000 euro për secilin”, tha Fico në një konferencë për shtyp, përcjell Hina.
“Nuk është solidaritet, është një diktat,” tha Fico, duke shtuar se partia e tij Smer dhe koalicioni qeverisës sllovak do të votojnë kundër ligjeve të ngjashme në parlamentin kombëtar.
Për të hyrë në fuqi në të gjithë BE-në, marrëveshja duhet të ratifikohet nga shtetet anëtare, të cilët do të kenë dy vjet kohë për të filluar zbatimin e saj.
Më parë, Polonia hodhi poshtë rregullat për shpërndarjen e refugjatëve dhe emigrantëve që hyjnë në vendet anëtare të BE-së përmes kalimeve të rregullta kufitare dhe Hungaria bëri të njëjtën gjë.