Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në Mbretërinë e Bashkuar.
Në njoftimin për media nga zyra për informim e Kryeministrit, thuhet se atje, kryeministri do të marrë pjesë në Konferencën e Mbrojtjes në Londër, ku edhe do të jetë folës kryesor.
Tutje bëhet e ditur, se aty do të zhvillojë një takim bilateral me Sekretarin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i cili gjithashtu do të marrë pjesë në këtë konferencë.
“Gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar, kryeministri Kurti do të zhvillojë takime edhe në Parlamentin britanik, si dhe do të ketë një bashkëbisedim me Drejtuesen Ekzekutive të Institutit ODI (Overseas Development Institute), Sara Pantuliano, për 25-vjetorin e përfundimit të luftës dhe çlirimit të Kosovës. Bashkëbisedimi do të transmetohet drejtpërdrejt në ueb faqen zyrtare të ODI dhe përmes Zoom-it në vjegëzën më poshtë nesër, 23 maj, nga ora 17:30 sipas orës lokale”, përfundon njoftimi. /Kosovatimes/