Në fillim të kësaj jave, një stacioni radari rus për paralajmërime të hershme u godit nga predha të paidentifikuara dhe dronë ukrainas, tha agjencia e inteligjencës ushtarake e Ukrainës.
Nuk është e qartë nëse u shkaktuan dëme të mëdha, por çfarë pati rëndësi të madhe për këtë sulm ishte vendndodhja e këtij stacioni: rreth 1.800 kilometra larg kufirit ukrainas.
Gjatë 27 muajve prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë, Ukraina i ka goditur caqet brenda Rusisë: së pari qetësisht dhe herë pas here, e pastaj guximshëm dhe bujshëm, përfshirë sulme matanë kufirit nga grupe paramilitare dhe sulme spektakolare me dronë në zemër të Moskës.
Por Ukraina ka shfaqur padurim dhe inatosje nga kufizimet që ia kanë pamundësuar përdorimin e armëve, me të cilat është furnizuar nga Perëndimi, për të kryer sulme më të mëdha më thellë brenda Rusisë: kundër trupave të grumbulluara pranë kufirit, apo kundër hekurudhave, apo depove të armatimit, për shembull.
Një ofensivë tashmë trijavore në afërsi të Harkivit në verilindje, e cila i ka dërrmuar forcat e Ukrainës, e ka rritur padurimin.
Prej 30 majit, kjo ka ndryshuar, sepse Shtetet e Bashkuara iu bashkuan dhjetëra aleatëve të NATO-s duke thënë për herë të parë se do ta lejojnë Ukrainën t’i godasë disa caqe brenda Rusisë.
Ky ndryshim është i kufizuar në fushëveprim, dhe ua mundëson forcave ukrainase t’i përdorin raketat me rreze të shkurtra veprimi, që shkrepen nga raketahedhësit HIMARS, apo artileritë, për t’i goditur postet komanduese, depot e armatimit, si dhe caqet e tjera ushtarake që përdoren në ofensivën kundër Harkivit.
Por Ukraina ende e ka të ndaluar të përdorë raketa tokë-ajër me rreze të gjata veprimi, të cilat njihen si ATACMS, për të kryer sulme brenda Rusisë.
Presidenti amerikan, Joe Biden “së fundmi e udhëzoi ekipin e vet të sigurohet që Ukraina është në gjendje t’i përdorë armët amerikane për qëllime të kundërsulmeve në rajonin e Ukrainës, në mënyrë që forcat ukrainase të mund t’iu përgjigjen sulmeve të forcave ruse”, tha një zyrtar amerikan për Radion Evropa e Lirë (REL).
“Qëndrimi ynë në lidhje me ndalimin e përdorimit të ATACMS-ve apo raketave me rreze të gjata veprimi brenda Rusisë, nuk ka ndryshuar”, shtoi ai.
Ndryshimi i qëndrimit të ShBA-së u raportua së pari nga Politico.
“Ukraina ka të drejtë t’i godasë caqet në Rusi”, tha Jack Watling, hulumtues në nga Instituti i Bashkuar i Shërbimeve Mbretërore në Londër në një podkast të Financial Times para se të bëhej publik vendimi. “Ajo është në luftë me Rusinë, dhe Rusia po i godet caqet në Ukrainë çdo ditë”.
Por ai theksoi se çështja është se çfarë lloj armesh do të lejohet Ukraina t’i përdorë për të bërë dallimin e madh. Ka shumë dallim mes sulmeve matanë kufirit me artileri Howitzer dhe sulmeve me raketa me rreze të gjata veprimi Storm Shadow, raketa luftuese Scalp, apo raketa ATACMS.
Vijat e kuqe
Në të kaluarën, Rusia ka paralajmëruar se furnizimi i Ukrainës nga Uashingtoni me armë me rreze të gjata veprimi “do t’i shkelte vijat e kuqe”.
Megjithatë, edhe pse është rritur furnizimi i Ukrainës me armë perëndimore, Rusia është përmbajtur nga sulmimi i dërgesave, apo depove ku ato armë mund të ruhen.
I pyetur për ndryshimin e qëndrimit amerikan, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska nuk dinte gjë për këtë dhe la të kuptohej se Qeveria ruse nuk e sheh këtë si ndryshim të madh në status-quo.
“Dihet shumë mirë se armët amerikane janë përdorur tashmë për të tentuar për ta sulmuar territorin rus”, tha Peskov më 31 maj, duke shtuar se “kjo nuk mjafton që ne ta dimë dhe nuk është dëshmi e qartë për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara në konflikt”.
Ka muaj që Ukraina me entuziazëm i godet caqet në Krime, gadishullin e Detit të Zi që Rusia e uzurpoi më 2014. Rusia ka numër të madh të trupave, avionëve luftarakë he pajisjeve të tjera atje. Cak i sulmeve ka qenë edhe flota e marinës ruse në Detin e Zi, e cila deri së voni ka qenë e vendosur në portin e Sevastopolit.
Në fund të prillit, Ukraina përdori raketa ATACMS për ta goditur një fushë ajrore në Dzhankoi në Krimea. Megjithëse Ukraina ishte furnizuar me të raketave ATACMS me rreze të shkurta veprimi në të kaluarën, sulmi në Dzhankoi ishte sulmi i parë në të cilin forcat ukrainase kishin përdorur raketat me rreze të gjata veprimi – të cilat ShBA-ja ia kishte dërguar fshehurazi pak muaj paraprakisht.
Meqë Shtetet e Bashkuara, njëlloj si shumica e bashkësisë ndërkombëtare, nuk e njohin pretendimin e Rusisë për Krimenë, kishte pak kufizime ndaj Ukrainës në lidhje me sulmet e saj në Krimea.
Forcat ukrainase kanë hasur në vështirësi në fushëbetejë tash e shumë muaj, kryesisht për shkak të vonesave në furnizim me armë amerikane, të cilat u shkaktuan si pasojë e mosmarrëveshjeve politike në Uashington.
Vështirësitë e tyre u rritën dukshëm më 10 maj, kur dhjetëra mijëra trupa ruse e kaluan kufirin në veri të qytetit Harkiv, dhe e hapën një ofensivë të re. Kjo i detyroi komandantët ukrainas t’i dërgojnë me nxitim njësitet me më përvojë në këtë rajon nga pjesë të tjera të vendit.
Ndryshimi i qëndrimit për armët “do ta lejojë Ukrainën t’i sulmojë trupat ruse, posaçërisht postet komanduese, njësitë e artilerisë, ato logjistike dhe të mbrojtjes ajrore, të cilat janë të vendosura në territorin rus pranë Harkivit dhe po kryejnë sulme, apo po i ushtrojnë operacionet e së ardhmes kundër Ukrainës”, tha Mick Ryan, ish-gjeneralmajor i ushtrisë australiane.
Njëra prej arsyeve pse Rusia është duke shënuar përparim tani, është superioriteti i saj në luftën në ajër. Rusia ka qenë në gjendje të hedhë bomba shkatërruese nga avionët e saj luftarak, tha John Norberg, analist dhe ekspert për ushtrinë ruse në Agjencinë Kërkimore të Mbrojtjes në Suedi, FOI.
Ukraina nuk ka qenë në gjendje t’i zmbrapsë këto sulme ajrore, për shkak të mungesës së madhe të kundërajrorëve, siç është sistemi kundërajror amerikan, Patriot.
Është e paqartë se çfarë e shtyu administratën Biden ta ndryshoi qëndrimin. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili e vizitoi Kievin muajin e kaluar, thuhet se mori një vlerësim real të aftësive të forcave ukrainase për t’u mbajtur. Në Kongresin amerikan, ligjvënësit nga të dyja partitë e kishin kritikuar Shtëpinë e Bardhë për frenimin e Ukrainës.
Duke iu drejtuar Blinkenit gjatë një seance në Komitetin për Çështje të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve më 22 maj, kryetari republikan i Komitetit, Michael McCaul, e akuzoi administratën Biden, dhe posaçërisht këshilltarin për siguri kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, se kanë krijuar një “strehë” për forcat ruse përgjatë kufirit.
Gjermania, njëra prej vendeve anëtare të NATO-s që kishte ngurruar më së shumti kur bëhej fjalë për armët perëndimore, tha më 31 maj se pajtohet me qëndrimin politik të SHBA-së se Ukraina mund t’i godasë disa caqe brenda Rusisë.
Ukraina i kishte kërkuar vazhdimisht Berlinit raketa lundruese Taurus KEPD-350.
Në dy javët e fundit, një numër i madh i vendeve anëtare të NATO-s kanë thënë se e mbështesin përdorimin e armëve perëndimore në mënyrë më agresive nga Ukraina, për t’i goditur caqet brenda vetë Rusisë.
“Megjithatë, sa i përket armëve të cilat mund të veprojnë në largësi të mëdha, qindra kilometra, ne ende ngurrojmë”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, gjatë një vizite në Moldavi.
“Sot ne… furnizojmë me raketa, autoblinda… para dy vjetëve as që do të bëhej fjalë për këto. Por gjithçka bëhet dalëngadalë”, tha Norberg.
Gatishmëria e Ukrainës për t’i goditur vetë caqet ruse – civile apo ushtarake – me teknologjinë e vet dhe me shumë gjasë pa pëlqimin e NATO- dhe ShBA-së, i ka ndërlikuar diskutimet. Sulmi në stacionin e radarit në afërsi të qytetit Orsk më 27 maj ishte shembulli më i fundit.
Kjo u kritikua nga disa ekspertë të armëve, të cilët thonë se mbase është e me rrezik për Ukrainën të godasë caqet ushtarake që përdoren për mbrojtje bërthamore – gjë që nuk është e lidhur me luftën në Ukrainën drejtpërdrejt. /Radio Evropa e Lirë/