Bashkimi Evropian (BE) është duke humbur kohë, madje aq të nevojshme e të pakompensueshme në proces, për integrimin me hapa më të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe shkëputjen e tyre nga ndikimi rus që jo rrallë herë thuhet se ka tendencë të rritjes, sidomos me luftën në Ukrainë dhe pozicionimin e skajshëm pro rus të Serbisë. Premtimet dhe zotimet e BE-së, e shteteve të ndryshme nga kjo familje, që po përcillen me shumë paqartësi dhe zvarritje burokratike, sikur e kanë humbur kuptimin dhe janë bërë shumë të pa vëmendshme e të pa besueshme edhe për qytetarët ballkanas.
Kështu mendojnë analistët politik, edhe pas deklarimit të këshilltares së Lartë të Përfaqësuesit Special të Qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Valeska Esch, në edicionin e tretë të Samitit të Kosovës për Paqe dhe Demokraci që po mbahet në Prishtinë, e cila tha se Procesi i Berlinit është esencial për mbështetjen e rajonit në rrugën e tij drejt integrimit në strukturat euro-atlantike, se për Gjermaninë është edhe më e rëndësishme integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, dhe për ata që duan të anëtarësohen në NATO.
Zeqa: Ju ka dalur “boja” premtimeve dhe zotimeve të BE-së për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evropiane!
Analisti politik Flirim Zeqa mendon se Bashkimi Evropian, duke menduar që ta shkëpus Serbinë dhe vendet e tjera nga ndikimi rus është duke humbur kohë të pakompensueshme dhe energji të panevojshme për integrimin e shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimorë në BE.
Zeqa vlerëson se përfshirja e shteteve shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës) dhe e shqiptarëve në përgjithësi në kuadrin e shteteve pro-ruse në Ballkan, paraqet gabimin e madh dhe diskriminimin e pakuptimtë që ju bëhet shqiptarëve, përkatësisht popullit më pro-evropian dhe më pro perëndimor në Botë. Siç ishte rasti i mbajtjes nën getoizim afro 25 vjeçar të shqiptarëve të Kosovës për Liberalizim të Vizave nën pretekstin e përmbushjes së kritereve të paaplikuara për vendet e tjera të rajonit!
“E njëjta padrejtësi po tentohet të na bëhet edhe për anëtarësim në BE dhe organizata tjera ndërkombëtare me kërkesën e Serbisë, siç ishte rasti i pengimit të Kosovës për anëtarësim në KIE në raundin e fundit të votimit në Parlamentin e Këshillit Evropian! Kjo bëhet akoma më e pakuptimtë në kohën e rritjes së ndikimit rus në vendet sllave në Ballkan pas përshkallëzimit të luftimeve në Ukrainë. Ju ka dalur “boja” premtimet dhe zotimeve të BE-së për integrimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evropiane, duke i ndrydhur me këtë rast shqiptarët e pafajshëm, por të papërfillshëm me ndikimin e tyre në politikat evropiane! E gjithë kjo për shkak të parcializimit të politikave shtetërore dhe ndarjeve të brendshme partiake dhe fetare, të cilat po përdoren si alibi nga zyrtarët burokrat të Bashkimit Evropian, për t’na ndëshkuar njëjtë sikurse ata (serbët dhe të tjerët) që nuk e duan integrimin në BE para raporteve të shkëlqyera me Rusinë dhe Kinën, si dhe raporteve të mira që kanë me vendet islamike të botës aziatike”, theksoi Zeqa për “Kosova Times”.
Pa dashur të lëshohet në aspekte fetare, procesi i integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, sipas analistit Zeqa, po përcillet me shumë paqartësi dhe zvarritje burokratike, duke u bërë kështu dita-ditës të pakuptimta dhe të pavëmendshme, e aq më pak të besueshme për qytetarët ballkanas që të bëhen pjesë e një familje që i diskriminon në vijimësi për shkak të përkatësisë etnike dhe fetare!
“Duke harruar (qëllimshëm) kështu se në shumicën e vendeve të zhvilluara dhe demokratike të Bashkimit Evropian parim bazë është bashkëjetesa e të gjitha komuniteteve si një shoqëri unike edhe përkundër diversitetit etnik dhe fetar, me të drejta të barabarta në të gjitha poret e jetës institucionale, filluar nga arsimimi, punësimi, shëndetësia, barazia ligjore e gjithçka tjetër që lidhet me jetën e përditshme e të huajve në vendet respektive të Bashkimit Evropian. Por, çuditërisht po ndodh diskriminimi më i madh dhe i paparë që po ju bëhet shqiptarëve të Kosovës, me prezencën më të madhe civile dhe ushtarake të BE-së, me valutën (Euro) e imponuar nga viti 2001 e këndej si monedhë shtetërore, duke na lënë jashtë të gjithë organizatave evropiane dhe pa liberalizim deri në fillim të këtij viti”potencoi Zeqa për “Kosova Times”.
Sipas tij, zotimet frazeologjike të burokratëve evropian po vazhdojnë akoma duke na vënë kushte për anëtarësim në BE siq na kishin vënë kushte për liberalizim! Jemi të vetmit ne shqiptarët në Ballkan që po e paguajmë shtrenjt koston e miqësisë me vendet e BE-së!
“E gjithë kjo po na vjen shkaku i ndarjeve të brendshme për pushtet në gjysmë shtet dhe për sundim të vetvetes duke i shpërblyer me territore fqinjët, për të mos e thënë armiqt tonë shekullor, të cilëve nuk po u mjafton gjaku, po e duan edhe tokën tonë! Vërtetë është koha për zgjim kombëtar, për t’ia bërë të qartë BE-së dhe ShBA-së, se ne shqiptarët kemi sakrifikuar mjaftë, madje edhe tepër për t’i gëzuar të drejtat tona siq i kanë të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian. Jemi të vetmit ne shqiptarët që ende torturohemi padrejtësisht nëpër pikat kufitare të shteteve fqinjë, sikur ne të vinim nga një “botë e tretë”! Vallë deri kur kështu?!”, thotë analisti Florim Zeqa.
Ai mendon se këto çështje duhet të ngriten nga liderët shtetërorë në takimet e Brukselit dhe Uashingtonit, Romës dhe Berlinit e jo të vrapojnë pas eskpozitave dhe ahengjeve të mërgatës sonë!
Përndryshe, Zeqa paralajmëron se edhe përkundër deklarimeve të zyrtarëve evropian se Procesi i Berlinit është esencial për mbështetjen e rajonit në rrugën e tij drejt integrimit në strukturat euro-atlantike, me politikat provinciale dhe mentalitetin fisnor të qeverisjes së vendit, integrimi në BE do t’na mbetet vetëm një ëndërr e bukur, të cilën edhe shumë gjenerata nuk do ta presin ta realizojnë!
“Pra, edhe përkundër zotimit të një shteti të fuqishëm siq është Gjermania, e cila ka ndikim të pa kontestueshëm në BE, siq ishte rasti e liberalizimit të vizave për të cilin Gjermania e bëri një avokati të madhe dhe tepër efektive, kur është qështja e integrimit të shteteve të Ballkanit në BE, kemi deklarata individuale të diplomatëve por nuk kemi akoma sensibilizim serioz dhe angazhim konkret me përkushtim në përshjepjtimin e agjendës integruese të Kosovës! Madje shqetësues mbetet fakti, se edhe Gjermania po e mbështetë idenë e themelimit të Asociacionit të Komunave Serbe në Veri si parakusht për anëtarësimin e Kosovës në BE”, theksoi Zeqa për “Kosova Times”.
Burjani: Burokracia e tepruar po kritikohet edhe nga vendet anëtarë të BE-së
Analisti politik Blerim Burjani konsideron se është koha e fundit që BE ri shkurton procedurat e anëtarësimit për vendet e Ballkanit perëndimor, që ato të futen në BE si bllok, duke pamundësuar pengimin e njërit shtet nga tjetri dhe ndikimin rus për ta zbehur interesimin e disa shteteve për anëtarësim në BE.
“BE duhet të ndryshojë mekanizmin e anëtarësimit të shteteve të reja në BE, vendimmarrja të jetë me shumicë votash të shteteve anëtare, por jo me konsensus. Mekanizimi i konsenzusit komplikon anëtarësimin dhe vonon shtetet prosepruese. Shumë herë kjo procedurë kritikohet, nga shumë vende në BE dhe te shtetet jo anëtare. Rajoni i Ballkanit Perëndimorë duhet të përkrahet shumë nga BE për anëtarësim po, sikurse të stimulohet edhe më shumë. Rrethanat evropiane, ato politike dhe ekonomike kërkojnë një shpejtësi shumë më të madhe të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimorë, përderisa Ukraina përkrahet për shkak të luftës atje që të anëtarësohet sa më parë në BE”, tha analisti Blerim Burjani për “Kosova Times”.