Parlamenti Evropian ka konfirmuar se do të hapë zyren rajonale me seli në Shqipëri. Hapja e së kësaj zyre ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të angazhimit me Ballkanin Perëndimor.
“Në kontekstin e tensioneve të rritura gjeopolitike dhe momentit të rinovuar pas zgjerimit të BE-së, zyra e re e Parlamentit në Tiranë do të shërbejë si një pikë kyçe kontakti midis Parlamentit Evropian dhe parlamenteve kombëtare, shoqërisë civile dhe partnerëve lokalë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga PE.
Kjo zyre do promovoj pozicionet dhe aktivitetet e Parlamentit, veçanërisht në lidhje me pranimin në BE, dhe do të mbështesë demokracinë dhe reformat institucionale në rajon.
Hapja e zyrës, gjithahstu do shërbej në përgatitjen dhe ndjekjen e vizitave zyrtare nga eurodeputetët, ndërkohë që do të forcojë bashkëpunimin me aktorët e tjerë të BE-së në terren, dhe me organizatat ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile.
“Nevoja jetike për të forcuar partneritetet e BE-së në Ballkanin Perëndimor është bërë edhe më e qartë duke pasur parasysh sfidat aktuale gjeopolitike, jo vetëm në luftën e Rusisë në Ukrainë”, thuhet në komunikatën e PE-së.
Themelimi i zyrës rajonale të PE në Tiranë nënvizon angazhimin e fortë të Parlamentit për të mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, duke nxitur stabilitetin, demokracinë dhe lidhjet më të ngushta midis BE-së dhe fqinjëve të saj.
Merert vesh jozyrtarisht se në garë për hapjën e zyrës ka qenë edhe kryeqyteti i Malit të Zi, Podgorica, por se vendimi është marrë që megjithatë kjo zyre rajonale të hapet në Tiranë.
Ndryshe, Parlamenti Evropian ka tre zyre operative: në New York e cila shërben per marrëdhëniet me OKB-në; në Jakarta, për marrëdhëniet me Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore; dhe në Addis Abeba, për marrëdhëniet me Bashkimin Afrikan.
Vendimi për hapjen e dy zyrave shtesë (në Shqipëri dhe Moldavi) pason një vendim të mëparshëm të Byrosë së Parlamentit për të krijuar zyra në Kiev, Ukrainë dhe në Panama, për t’u marrë me marrëdhëniet me Amerikën Latine dhe Karaibet.