Drejtori i ZRRE-së, Petrit Pepaj gjatë mbledhjes së Bordit të ZRRE-së tha se në raportin konsultativ dhe në tërë procesin duhet ta respektojnë detyrimin ligjor që rregullatori e ka në përcaktimin e tarifave.

 

“Ligjërisht rregullatori është i obliguar që të përcaktojë tarifa që respektojnë koston e shërbimit, ndërsa për konsumatorët e cenueshëm sipas ligjit përgjegjëse janë Ministria e Financave dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka thënë Pepaj.

Sipas tij, ZRRE në raportet e saj i ka përcaktuar në mënyrë të detajuara shkaktarët kryesor që kanë të bëjnë me rritjen e kostos së shërbimit.

“I kemi katër shkaktarë që kanë ndikuar në rritjen e kostos: Ndryshimet në kostot e blerjeve të energjisë elektrike nga furnizuesit në shërbim universal. Ndryshimet në kosto të blerjes së energjisë nga operatori i sistemit të shpërndarjes. Parashikimi i çmimeve të energjisë nga importi për vitin 2025 dhe parashikimi për kostot e shërbimeve ndihmëse për operatorin e sistemit të transmetimit”, ka shtuar ai.

Sipas tij në vlerësimet për vitin 2025 është parashikuar edhe import, duke pasur parasysh se njësitë gjeneruese janë në planifikim të mirëmbajtjes.

Nis mbledhja e ZRRE-së | LIVE

Ka nisur mbledhja e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, ku pritet të merret vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike, vendim i cili nëse merret do të hyjë në fuqi më 1 maj.

Kjo është seanca e tretë për këtë vit, në të cilën në rend dite është shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për OST/OT, shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për OSSH, shqyrtimi i propozimit për aprovimin e të hyrave të lejuara maksimale për FSHU dhe shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve.