Murati thotë se për çdo procedurë prokurimi, kërkohet të nënshkruhet Deklarata e Disponueshmërisë së Fondeve, e cila siguron se organizata, në këtë rast Komuna e Prishtinës, ka fondet e mjaftueshme të buxhetuara.

“Në Deklaratën e Disponueshmërisë të nënshkruar në vitin 2024 nga kryetari i Komunës së Prishtinës dhe nga zyrtari kryesor financiar, thuhet se mjetet e nevojshme për këtë projekt janë 18.4 milionë euro, dhe se ato janë të buxhetuara në kodin 53984 – Rregullimi i sheshit ‘George Bush’. Problemi qëndron në faktin se në kodin e projektit në fjalë, në vitin 2024 kanë qenë të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, nga mjetet vetanake të bartura nga viti paraprak”, ka shkruar Murati.

Sipas ministrit të detyrë, Komuna e Prishtinës ka nisur procedurë prokurimi me vlerë 18.4 milionë euro, duke pasur të buxhetuara vetëm 1.89 milionë euro, apo 1/10 e buxhetit të nevojshëm.

Ndërkaq, thotë ai, pas zhvillimit të procedurës së prokurimit, kontrata është nënshkruar sivjet, që përbën shkeljen e radhës. “Sepse buxheti i Komunës së Prishtinës megjithëse i miratuar në asamble, për shkak të miratimit me vonesë, ende nuk është miratuar në Kuvendin e Republikës për t’u integruar si plotësim/ndryshim i Ligjit për Ndarje Buxhetore për vitin 2025”, thotë Murati.

Sipas tij, Ligji i Buxhetit aktualisht në fuqi për vitin 2025, nuk e përmban fare projektin e sheshit “Xhorxh Bush”. “Pra ka 0 euro ndarje buxhetore, por që Komuna e Prishtinës e ka nënshkruar kontratën pavarësisht mungesës së ndarjes buxhetore”, shkroi ai.

Sipas ministrit në detyrë të Financave, raste të tilla të futjes në obligime financiare pa mbulesë përbëjnë shkelje të Ligjit për Financa Publike si dhe Ligjit për Prokurim Publik, dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të komunës.

“Dëshiroj të besoj që organet e rendit do të kenë zellin e nevojshëm ta trajtojnë këtë rast flagrant të shkeljes ligjore”, përfundoi ai.