Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se tuneli i Kurrizit nuk do të kundërmojë më. Ai ka njoftuar se kanë instaluar një sistem tërësisht të ri dhe modern të ventilimit.
“Trotuare për këmbësor – Ky transformim e bën hapësirën të qasshme jo vetëm për veturat, por edhe për këmbësorët, duke i kthyer rrugët në zona të sigurta dhe të lira për të gjithë qytetarët. Tualete Publike – Hapësirat publike të uzurpuara janë liruar, dhe në vend të tyre kemi krijuar tualete publike funksionale dhe të aksesueshme për të gjithë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, edhe ndriçimi do të jetë i garantuar.
“Por kjo nuk është e gjitha – Kurrizi tashmë është menduar si një hapësirë artistike unike, ku do të ekspozohen vepra arti dhe ekspozita që pasqyrojnë identitetin kulturor dhe artistik të kësaj zone emblematike”, ka theksuar ai.
Sipas Ramës, ky është vetëm fillimi i një transformimi që do ta kthejë Kurrizin në zemrën urbane të kreativitetit dhe komunitetit.
“Në qershor e bëjmë hapjen bashkë”, ka deklaruar Rama.