Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë më 15 maj një seri konsultimesh me përfaqësues të subjekteve politike në lidhje me procesin e konstituimit të Kuvendit të ri pas zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.

 

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre në takimin e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani, lidhur me zhbllokimin e situatës së moskonstituimit të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Faton Abdullahu, zëdhënës i PDK-së ka thënë se kreu i kësaj partie do të marrë pjesë në takim.

“Po, kryetari Memli Krasniqi ka pranuar ftesën për takim nga presidentja Vjosa Osmani. Na vjen mirë që, ashtu siç ka propozuar PDK, po ndërmerren hapa institucionalë që shpresojmë se mund të jenë ndihmues për të dalë nga kriza politike dhe për të hapur rrugën drejt krijimit të institucioneve të reja”, ka theksuar ai në një përgjigje për RTK-në.

Ai tha se kryetari i PDK-së do të marrë pjesë në takim, me shpresën që të gjitha partitë të marrin pjesë me konstruktivitet dhe duke e vendosur interesin e qytetarëve në radhë të parë.

“Kosova ka nevojë për institucione të reja sa më parë”, tha ai.

Pozitivisht ftesës së presidentes iu kanë përgjigjur edhe nga Aleanca.

“Po, kryetari Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Presidentja”, tha shkurt Kushtrim Xhemaili, zëdhënës i AAK-së.

Më herët gjatë ditës këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina konfirmoi për RTK-në se presidentja Vjosa Osmani do t’i fillojë konsultimet për konstituimin e Kuvendit më 15 maj.

Presidentja Osmani nis më 15 maj konsultimet për konstituimin e Kuvendit

Këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, ka konfirmuar për RTK-në se ftesat për takimet e para tashmë janë dërguar dhe se aktualisht janë duke pritur konfirmimet nga përfaqësuesit politikë.

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, ka theksuar Kupina në një përgjigje me shkrim për RTK-në.

Disa nga krerët e partive politike e kanë parë të domosdoshme përfshirjen e presidentes Osmani në tejkalimin e bllokadës për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës, pasi as pas 14 përpjekjesh kuvendi nuk ka arritur të finalizojë konstituimin e kësaj legjislature.