Gjinekologu Afrim Veliu është sulmuar mbrëmë në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Dyshohet se ai është goditur me një mjet metalik teksa po futej në veturë.
Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Ai tha se sulmi dyshohet se ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:30 në rrugën “Henry Dunant” në lagjen Ulpiana të Prishtinës.
“Sipas informacioneve të para dyshimet janë ngritur se, teksa po futej në veturë viktima është goditur në kokë me një mjet metalik nga një person i panjohur”, tha Borovci.
Borovci deklaroi se viktima ka pësuar lëndime të lehta dhe ka marrë trajtim mjekësor, teksa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe se motivi i sulmit mbetet i panjohur.
“Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative dhe hetimore për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit”, shtoi Borovci.
Ai bëri të ditur se me rekomandimin e prokurorit të shtetit është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.