Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Gjakovë, ku një burrë 63-vjeçar ka ndërruar jetë gjatë orarit të punës si roje sigurie. Rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës.

 

Lajmin për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Sheremet Elezaj. “Një mashkull i lindur në vitin 1962 është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku është konstatuar vdekja e tij”, tha ai.

Sipas të dhënave paraprake, viktimës i është përkeqësuar gjendja shëndetësore gjatë kryerjes së detyrës së tij si roje sigurie. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:45 në rrugën “Wesley Clark” në Gjakovë.

“Nga hetimet e para dyshohet se viktimës i është përkeqësuar gjendja shëndetësore në vendin e punës (ku ishte duke punuar si roje sigurie),” shtoi Elezaj.

Me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor.