Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja në detyrë e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ministri në detyrë i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, si dhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, vizituan tri banesat sociale në qytetin e Klinës.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në këto banesa po realizohen investime të rëndësishme për rritjen e efiçiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e këtyre ndërtesave.
Në këto tri ndërtesa të banimit social, që janë ndërtuar para dy dekadave, jetojnë 220 banorë, përkatësisht 71 familje. Në kuadër të investimeve për efiçiencë, aty po rregullohet fasada, termoizolimi, po bëhet ndërrimi i dyerve, dritareve dhe kulmit, si dhe po vendosen klima efiçiente në secilën njësi banesore. Punimet janë në fazën finale. Ato, përveçse do të përmirësojnë kushtet e jetës, do të kursejnë energjinë elektrike për banorët: në njërën ndërtesë rreth 50%, në të tjerat 63%, përkatësisht 65%. Vlera e investimit në këto tri ndërtesa në Klinë është rreth 650 mijë euro.
“Kurti përshëndeti bashkëpunimin ndërmjet Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Ministrisë së Ekonomisë dhe Komunës së Klinës, dhe shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian për mbështetjen që po i jep vendit tonë në fushën e efiçiencës së energjisë”, thuhet në njoftim.
“Kurse ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë vizitës tha se banesat që po i shohim sot janë 3 nga 28 banesa sociale gjithandej Kosovës, të cilat po rinovohen me masa të ngjashme”.
“Ndërkaq, kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, duke e falënderuar kryeministrin dhe ministren për mbështetjen, e cilësoi këtë investim dhe projekt si të rëndësishëm për Komunën dhe banorët e saj, e veçanërisht për përfituesit e drejtpërdrejtë të këtyre masave të efiçiencës”, u thekua tutje në njoftim.
Këto investime po zbatohen nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe mbështeten nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes grantit nga Bashkimi Evropian (me 90%) dhe pjesëmarrjes së komunave (me 10%).