Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku ka njoftuar se ekipi i arkeologëve ka identifikuar një mbishkrim të dytë kushtuar Perandorit Justinian dhe bashkëshortes së tij, Teodora.
“Mbishkrimi i parë përmendte themelimin e qytetit Iustiniana Secunda si qytet Dardan. Ky i dyti tregon ndërtimin e bazilikës episkopale. Këto janë të vetmet dedikime të njohura të Justinianit, perandorit me prejardhje nga ky rajon”, ka shkruar ministri në detyrë për këtë zbulim.
Thotë se, ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë arkeologjike nuk është trajtuar asnjëherë më këtë seriozitet.
“Hulumtimet arkeologjike në Ulpianë e Dresnik, tanimë po vazhdojnë në prona publike, të cilat u shpronësuan gjatë vitit të kaluar. Po punohet me intensitet në lokalitete arkeologjike, plane të konservimit e menaxhimit, ngritje të kapaciteteve profesionale përmes partneriteteve ndërkombëtare, studime e publikime. Arkeologjia vazhdon të na zbulojë historinë tonë. Ne vazhdojmë me përkushtim hulumtimin dhe mbrojtjen e saj”, ka shkruar ministri në detyrë i Kulturës, Çeku.