Sekretari i Parlamentit të Shtetit Gjerman pranë Ministrit Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Johann Saathoff, gjatë vizitës së tij në Kosovë është pyetur për qëndrimet e tyre lidhur me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka potencuar se Gjermania e ka të rëndësishme të ketë partnerë që u besojnë për ta shoqëruar drejt rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Për ne është me rëndësi të kemi partnerë të besueshëm e me të cilët mund të bashkëpunojmë dhe të cilin mund ta shoqërojmë në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE. Urojmë që sa më shpejt të ketë një qeveri, e dimë që mund të ketë sfida por që do t’i tejkalojmë së bashku”, ka thënë ai.
Saathoff ka thënë se do të takojë figura publike dhe përfaqësues të bizneseve të ndryshme gjatë qëndrimit të tij. Fillimisht ai ka vizituar hapësirat e ITP në Prizren dhe më pas ka mbajtur konferencë për media me ministren në detyrë të Industrisë, Ndërmarrjes dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.