Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ashpër ndaj fushatës elektorale të koalicionit VLEN, duke e cilësuar si përpjekje për mashtrim të radhës dhe vazhdimësi të dështimeve politike.
Në një komunikatë për media, Aleanca për Shqiptarët shpreh shqetësimin për atë që e cilëson si “dështim të plotë në realizimin e premtimeve të vitit 2024” dhe “vendime të njëanshme e antishqiptare” nga qeveria aktuale, të cilën e cilëson si “monoetnike”.
Sipas kësaj force politike, përpjekjet e përfaqësuesve të VLEN-it për të krijuar entuziazëm në terren janë “eufori artificiale”, që nuk pasqyron realitetin dhe dëshmon shkëputjen e tyre nga qytetarët.
“Populli e ka kuptuar qartë tradhtinë e tyre, etjen për pushtet me çdo çmim dhe vasalitetin ndaj kryeministrit më antishqiptar në historinë e pluralizmit politik”, thuhet në komunikatë.
Aleanca për Shqiptarët kritikon ashpër retorikën e përdorur nga përfaqësuesit e VLEN-it, duke e quajtur atë “gjuhë kamikaze” dhe “fjalor rrugaçërie politike”, e cila sipas tyre rikthen memorien e përçarjeve të së kaluarës.
“Mosinteresimi i qytetarëve për farsën e tyre elektorale flet më shumë se çdo gjë tjetër: shqiptarët i përbuzin”, thuhet më tej në komunikatë.
Në përfundim, Aleanca për Shqiptarët shprehet se besimi i qytetarëve sot është në opozitën e bashkuar shqiptare, e cila, sipas tyre, e sheh muajin tetor si një referendum kundër qeverisë aktuale dhe partnerëve të saj politikë.
“Euforia, entuziazmi dhe vullneti i qytetarëve sot janë në opozitën e bashkuar shqiptare. Tetori është afër”, përfundon komunikata.