Sipas raportit, rasti i parë është regjistruar në Prishtinë, ku një person është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij. Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Rasti i dytë është shënuar në Podujevë. Policia ka arrestuar një person të dyshuar për ushtrim dhune psikike ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të tij. Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, rasti i tretë është regjistruar po ashtu në Prishtinë. Viktima, një grua ka pësuar lëndime trupore si pasojë e një sulmi fizik nga bashkëshorti i saj, i cili pas ngjarjes është larguar nga vendi i krimit.

Policia njofton se viktimës i është ofruar trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa më pas, me dëshirën e saj, ajo dhe vajza e saj janë larguar për në familjen e saj. Policia ka njoftuar se është në kërkim të të dyshuarit dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit.

Policia u bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo formë të dhunës në familje dhe theksojnë se trajtimi i rasteve të tilla mbetet ndër prioritetet kryesore të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë në vend.