Një shtetas i Kosovës ka humbur jetën në Serbi pas aksidentit me tren
N.M. /RTKlive
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar vdekjen e shtetasit të Kosovës, Selim Voca, i cili ka humbur jetën pas një aksidenti me tren në qytetin Aleksinac të Serbisë.
Voca ishte raportuar si person i zhdukur më 19 nëntor 2025 nga bashkëshortja e tij në stacionin policor të Mitrovicës së Jugut. Sipas raportimeve zyrtare, trupi i pajetë i tij aktualisht ndodhet në Spitalin e Nishit.
MPJD ka njoftuar se është duke u koordinuar me institucionet relevante të Republikës së Kosovës për të mundësuar kthimin sa më të shpejtë të trupit në vendlindje. Ndërkohë, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është në komunikim të vazhdueshëm me familjarët e viktimës dhe autoritetet serbe, me qëllim të ofrimit të asistencës së nevojshme dhe lehtësimit të procedurave të kërkuara ligjore.
Ministria thekson se institucionet e vendit do të ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme për trajtimin e rastit me seriozitet dhe urgjencë të plotë.




