Mbahet në Vlorë ceremonia shtetërore e Ditës së Pavarësisë, një nga momentet më të rëndësishme të manifestimeve të 28 Nëntorit. Para Monumentit të Pavarësisë, u mbajtën ritualet zyrtare që shënojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

 

Në ceremoninë e organizuar pranë sheshit historik, personalitetet shtetërore vendosën kurora me lule në nder të themeluesve të shtetit shqiptar. Aktiviteti u shoqërua me ekzekutimin solemn të Himnit Kombëtar.

Të pranishëm në këtë aktivitet zyrtar ishin figurat më të larta të institucioneve shqiptare dhe të Kosovës, mes tyre, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu e kryebashkiakja e Vlorës, Brunilda Mersini.

Në vijim të programit zyrtar të Ditës së Flamurit, janë mbajtur homazhe edhe te varri i Ismail Bej Vlorës, udhëheqësit të aktit historik të 28 nëntorit 1912. Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore po nderojnë figurën e tij dhe rolin e tij në krijimin e shtetit shqiptar.

Ceremonitë në Vlorë për Ditën e Pavarësisë do të vijojnë gjatë gjithë ditës me aktivitete kulturore, pritje zyrtare dhe homazhe të tjera për figurat që kontribuuan në pavarësinë e vendit.