Është përkujtuar në Universitetin “Fan Noli” të Korçës 83-vjetori i ndarjes nga jeta të Faik Konicës, një prej mendjeve më të ndritura të kombit shqiptar, personalitet erudit që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë.

 

Në aktivitet mori pjesë edhe një nga figurat e nderuara të Federatës Panshqiptare “Vatra”, Beqir Potka, i cili bashkë me 21 bashkatdhetarë të tjerë bëri të mundur kthimin e eshtrave të Konicës në Shqipëri – një amanet i tij që u realizua 50 vjet pas ndarjes nga jeta.

“Kanë kaluar gati 30 vite dhe ndiej kënaqësi që sot po shënohet një përvjetor i tillë. Perëndia deshi që, ashtu siç ai ëndërronte, eshtrat të ktheheshin këtu,” – u shpreh Beqir Potka, anëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, SHBA.

Për Universitetin e Korçës, studimi dhe përcjellja e jetës e veprimtarisë së Faik Konicës ndër breza ka rëndësi të veçantë. Përkujtimi i figurave të mëdha të kombit shërben si udhërrëfyes për studentët dhe të rinjtë.

“Faik Konica, për atë që përfaqëson – atributin intelektual, letrar dhe eseistik – është padyshim pjesë e studimeve universitare. Megjithatë, duhet bërë çmos që shkëndija e mendimit të tij të shndërrohet në një udhërrëfyes për jetën e fëmijëve tanë”,  u shpreh profesor Eris Rusi, përgjegjës i Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Korçës.

Në këtë aktivitet, Këshilli i Qarkut Korçë nderoi me certifikata mirënjohjeje Beqir Potkën dhe Ekrem Bardhën, të cilët kanë qenë pjesë e delegacionit prej 22 vetash që mundësuan sjelljen e eshtrave të Faik Konicës në atdhe, 30 vite më parë.