Policia e Kosovës përmes raportit të saj 24 orësh ka dhënë detaje për arrestimin e ish-pjesëtarit të MUP-it serb, i dyshuar për kidnapimin e Milan Vukashinoviqit.

 

Aty bëhet e ditur se është arrestuar një person në Leposaviq nën dyshimin se ka ndihmuar në kryerjen e veprës “vrasje e rëndë në tentativë dhe rrëmbim” e ndodhur më 1 nëntor.

“Më 20 dhjetor janë kryer bastisje në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të një të dyshuari sipas urdhëresës së gjykatës. I dyshuari dyshohet për përfshirje në dhënien e ndihmës në kryerjen e një vepre penale që ka ndodhur më 01.11.2025, ku viktimë ka qenë një mashkull. Gjatë bastisjes, Policia ka sekuestruar prova materiale që mund të lidhen me rastin, përfshirë 9 telefona celularë, 1 laptop, 3 dokumente të formatit A4, 1 pushkë gjuetie me 39 fishekë, 1 jelek për fishekë të armës së gjuetisë dhe 1 tytë arme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të shtunën, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dha lajmin për arrestimin e V.M në Leshak, ish-pjesëtar i MUP-it të Serbisë, që ishte integruar në policinë e Kosovës, sipas marrëveshjes së vitit 2013, e ku më pas kishte dhënë dorëheqje.

Ai ka thënë se për personin e arrestuar, ekzistojnë dyshime të bazuara se ka bashkëpunuar dhe ka mbështetur në vazhdimësi strukturat e sigurisë së Serbisë, përfshirë edhe kidnapimin e Milan Vukashinoviq, e i cili gjatë kidnapimit ishte plagosur rëndë dhe aktualisht është duke u trajtuar në një spital në Serbi.

“V.M. dyshohet se ka qenë në kontakt me strukturat e inteligjencës së Serbisë dhe ato të ushtrisë, ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë së Serbisë, si dhe së paku ka qenë në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë”, ka shkruar Sveçla të shtunën në Facebook.