Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar sot lidhur me rastet e dyshuara të manipulimeve të votave brenda subjekteve politike.
Sipas Kurtit, komisionerët dhe individët që janë përfshirë në manipulime të tilla nuk do të kenë amnisti. Ai ka inkurajuar institucionet përkatëse që hetimet të vazhdojnë deri në fund, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë gjithmonë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës dhe ashtu do të qëndrojë.
“Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Ai ka theksuar se Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon, dhe se adresimi ligjor dhe llogaridhënia për rastet e dyshuara të manipulimeve brenda partive politike janë të domosdoshme për të ruajtur besimin e qytetarëve në proceset zgjedhore.



