Rusia ka përdorur një dron për të sulmuar një autobus në rajonin juglindor të Dnipropetrovskit, duke vrarë 15 persona dhe duke plagosur disa të tjerë, tha Oleksandr Hanzha, kreu i rajonit.
Shërbimet e emergjencës ukrainase njoftuan se pas sulmit shpërtheu një zjarr, të cilin zjarrfikësit e shuan shpejt.
Rusia lëshoi 90 dronë gjatë natës
Sulmi erdhi pasi Rusia lëshoi 90 dronë sulmues gjatë natës, 14 prej të cilëve goditën nëntë lokacione, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës.
Hanža tha më parë se një grua dhe një burrë u vranë në sulmin e natës në qytetin lindor ukrainas të Dnipros.
Granatimet ruse goditën gjithashtu qendrën e Khersonit në jug të vendit, duke plagosur rëndë një grua 59-vjeçare, njoftoi administrata ushtarake e qytetit në Facebook.
Sulm në maternitetin në Zaporizhia
Shërbimet e emergjencës ukrainase njoftuan gjithashtu se një dron rus goditi një maternitet në qytetin jugor të Zaporizhias, duke plagosur tre gra, dhe një zjarr shpërtheu në zonën e pranimeve të gjinekologjisë, i cili u shua më vonë.
Kreu i administratës rajonale, Ivan Fedorov, tha më vonë se numri i të plagosurve ishte rritur në gjashtë.
Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se forcat e saj përdorën aviacion operativo-taktik, dronë sulmues, forca raketore dhe artileri për të sulmuar infrastrukturën e transportit të përdorur nga forcat ukrainase.
Moska gjithashtu pretendoi se mbrojtja ajrore ruse rrëzoi 21 dronë ukrainas mbi Rusinë jugperëndimore dhe perëndimore, pa përmendur viktima ose dëme.
Zelensky njoftoi negociata të reja me rusët dhe amerikanët më herët sot
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi më herët të dielën se raundi i ardhshëm i bisedimeve të paqes midis Moskës dhe Kievit do të mbahet të mërkurën dhe të enjten.
Sipas njoftimeve të mëparshme, delegacionet nga Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja ishin planifikuar të takoheshin javën e ardhshme në Abu Dhabi, si pjesë e negociatave për t’i dhënë fund pushtimit total të Rusisë.
“Sapo kemi marrë një raport nga ekipi ynë negociator. Datat e takimeve të ardhshme trepalëshe janë caktuar: 4 dhe 5 shkurt në Abu Dhabi”, shkroi Zelensky në Telegram.
“Ukraina është e gatshme për bisedime kuptimplote dhe ne jemi të interesuar për një rezultat që do të na afrojë më shumë me një fund të vërtetë dhe dinjitoz të luftës”, shtoi ai.
Edhe pse zyrtarët ukrainas dhe rusë kanë rënë dakord në parim me thirrjet e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për kompromis, Moska dhe Kievi mbeten në mosmarrëveshje mbi atë se si duhet të duket një marrëveshje konkrete.
Një nga pyetjet kryesore mbetet nëse Rusia duhet të tërhiqet nga territoret e pushtuara të Ukrainës, veçanërisht zona industriale lindore e Donbasit, dhe nëse duhet t’i jepet kontroll mbi territoret që nuk i ka pushtuar ende.



